“Futbollistët me probleme s’duhet të luajnë”, Rama: Aparati mund t’i kishte shpëtuar jetën Raphael Dwamena

schedule23:37 - 13 Nëntor, 2023

schedule 23:37 - 13 Nëntor, 2023

Milaim Rama, shqiptari i parë nga Kosova, i cili ka luajtur për kombëtaren e Zvicrës, e ka cilësuar tragjike vdekjen në fushë të futbollistit të Egnatias, Raphael Dwamena.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Rama u shpreh se kjo ngjarje ishte një tronditje e madhe për futbollin.

Sipas tij, futbollistë të cilët kanë probleme me zemrën, ashtu sikurse kishte Dwamena, nuk duhet të luajnë.

“Për gjithë opinionin ishte një vdekje tragjike dhe një dhimbje e madhe. Më lejoni të shpreh ngushëllimet. Kjo ka qenë një tronditje për të gjithë futbollin dhe urojmë që kështu vdekjesh mos të kemi në stadiume. Dwamena është përfolur shumë, janë përfshirë edhe mjekët. Dwamena ka pasur problemet e veta. Të gjithë japin mendimin që ndoshta duhet ta kishte aparatin. Urojmë që familja t’i mbledhë forcat.

Si në Zvicër dhe në të gjitha shtetet, nëse një fubollist ka probleme me zemrën, këtu në Zvicër nuk do mund të luante, por në fund vendos edhe futbollisti në lidhje me jetën e vet. Dëshira e madhe e Dwamena ka qenë që të luante. Nuk më është dhënë rasti që t’i shoh në Zvicër. Në klubet që kam luajtur ka qenë prezent edhe mjeku i skuadrës sonë me të gjitha pajisjet. Mendoj që të gjitha skuadrat duhet t’i kenë mjekët afër vetes”, theksoi ai.

Lidhur me sfidën Kosovë-Izrael, që përfundoi me rezutlatin 1-0, Rama tha se: “Sfida ishte e vështirë, për arsye se ishte Kosova mbeti pa disa lojtarë kryesorë, por shkoi mbarë. Kosova bëri një lojë të mirë, shënoi një gol, Kosova arriti t’i marrë tre pikë para tifozëve.”

Sipas Ramës, kombëtarja e Sylvinohs, është më e mira që kemi pasur, teksa shtoi se braziliani ka bërë revolucion me përfaqësuesen.

“Jemi jashtëzakonisht shumë krenar që kombëtarja shqiptare ka bërë një revolucion, e ka treguar gjatë kualifikueseve. Është në vendin e parë me meritë. Në ndeshjen me Moldavinë do të jenë të përgatitur. Mendoj se djemtë do të bëjnë më të mirën dhe do të kthehen nga Moldavia me tre pikë. Kombëtarja shqiptare ka pasur ekipe të mira, por mendoj se me të vërtetë ky është diamanti i viteve të fundit që është gdhendur vitet e fundit dhe besoj se është kombëtarja më e mirë që kemi pasur. Besoj se kombëtarja do ketë një ecuri edhe në vitet e ardhshme”, nënvizoi Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!