E dukshme që në vendin tonë qeveria as që do e vërë ndonjëherë “ujin në zjarr” për sportin. Në fakt duket e habitshme kjo, në një vend ku kryeministri Edi Rama dhe kreu i shtetit, Ilir Meta, kanë qenë sportistë. Sigurisht ata vijojnë të ndjekin futbollin, njëri Juventusin e tjetri Celtic e kombëtaren.
FSHF së fundmi ka bërë një kërkesë, drejtuar: Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Propozimi ishte i qartë: Rinisja e stërvitjeve më 2 maj, kurse e kampionateve me 20 ose 24 maj.
Asnjë përgjigje zyrtare, çka është pranuar edhe në institucionin e futbollit në vend. Ditën e sotme, në konferencën e Institutit të Shëndetit Publik, është prekur si temë edhe futbolli. “A do ketë një përgjigje për FSHF”, është pyetja, ndërkohë që më pas vjen përgjigjja që nuk befason askënd.
“Patjetër, në vazhdim Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do t’ju informojë”. Ende asnjë datë për rifillimin e stërvitjeve të ekipeve të futbollit, edhe pse rrugët e kryeqytetit shihen plot gjatë këtyre ditëve. /abcnews.al