Futbolli nuk është më i njëjti. Prej vitesh, sporti më I dashur në botë ka ndryshuar për shkak të aplikimit të rregullave të reja dhe mbi të gjitha të teknologjisë në fushë. Ndryshimet do të vijojnë, pas miratimit të të tjera risive nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit në FIFA.
Duke nisur nga finalet e “Botërorit 2026” dhe në sezonin pas tij futbollistët dhe tifozët duhet të mësohen me një rregullore të re që përfshin sistemin VAR dhe vendime të arbitrave.
Përveç rasteve të parashikuara, asistenti video do të hyjë në punë edhe me kërkesën e trajerëve, që do të kenë një mundësi thirrje për çdo pjesë. Deri tani, sistemi VAR ndërhynte vetëm për rastet flagrante si pozicionet jashtë loje, kartonët e kuq dhe penalltitë, ndërsa me rregorren e re do të vendosë edhe për kartonin e dytë të verdhë dhe goditjet nga këndi.
Në këtë mënyrë, FIFA kërkon të eliminojë çdo gabim që mund të vendosë në rezultat dhe si pasojë në fatin e ndeshjeve. Po ashtu, qeveria botërore e futbollit kërkon të rrisë lojën efektive, duke minimizuar ndërprerjet e gjata.
Në Botërorin e Klubeve verën e shkuar u aplikua për herë të parë rregulli i 8 sekondave. Kjo është koha maksimale që portieri mund të mbajë topin përpara se të rinisë lojën. Në të kundërt, arbitri akordon goditje këndi për skuadrën kundërshtare.
Tani do të ketë të tjera përcaktime kohore sa i përket rivënieve anësore dhe zëvendësimeve. Çdo rivënie anësore nuk mund të zgjasë më shumë se 5 sekonda, përndryshe ajo shkon te kundërshtarët.
Në rastin e zëvendësimeve, secili prej tyre do të zgjasë vetëm 10 sekonda. Nëse kjo kohë tejkalohet, atëherë lojtari që do të hynte do të qëndrojë jashtë fushe një minutë dhe do të aktivizohej vetëm në ndërprerjen e parë të lojës.
Të gjitha këto ndryshime, sipas FIFA bëhen për të përmirësuar lojën dhe për të bërë akoma më të shpejtë dhe spektakolar futbollin.


