Fushata për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Trump: Ligjet e aborteve në nivel shtetëror, jo federal

schedule15:52 - 8 Prill, 2024

schedule 15:52 - 8 Prill, 2024

Ligjet e abortit duhet të përcaktohen nga shtetet amerikane, ka deklaruar kandidati republikan për president Donald Trump. Qëndrimi i tij konsiderohet më i moderuar në prag të zgjedhjeve presidenciale pasi ai shmang propozimin e një ndalimi në nivel federal.

Në një video që ka postuar në platformën e rrjeteve sociale, ish-presidenti amerikan tha se mbështet përjashtimet në rastet e përdhunimit, incestit dhe për të mbrojtur jetën e nënës. Trump nuk përmendi një ndalim të mundshëm të abortit në nivel federal pas një numri të caktuar javësh të shtatzënisë. Kandidati presidencial sfidoi pritshmëritë e mbështetësve të tij fetarë dhe konservatorë se do të kërkonte kufizime federale nëse do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë.

“Duhet të fitojmë zgjedhjet”

Trump, i cili më parë kishte sinjalizuar mbështetjen e tij për një ndalim federal të abortit pas 15 javësh, theksoi rëndësinë e fitores në votime në deklaratën e tij të shumëpritur për këtë çështje. “Duhet të ndiqni zemrën tuaj në këtë çështje. Por mbani mend, ne gjithashtu duhet të fitojmë zgjedhjet për të rivendosur qytetërimin tonë dhe, në fakt, për të shpëtuar vendin tonë, i cili tani për fat të keq është një komb në rënie”, tha Trump. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!