Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me kërkesat e gjyqtarëve për rritje pagash, duke theksuar se pagat e tyre janë të krahasueshme me ato në Greqi dhe më të larta se në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Ndërkohë, juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, e cilësoi përplasjen mes ekzekutivit dhe gjyqësorit si kryesisht politike dhe jo financiare, duke kritikuar mënyrën e komunikimit dhe përdorimin e zgjedhjeve në këtë debat, si dhe duke theksuar nevojën për më shumë kujdes institucional, veçanërisht në një çështje që është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
“SPAK nuk është përfshirë fare në këtë, megjithëse është përmendur. Marrëdhënia ekzekutiv dhe gjyqësor është bërë si “Lufta dhe Paqja”. U është hapur “syri” gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve. Mendoj që vetë Rama nuk ka hallin e financës, kam përshtypjen që është një përplasje që është më shumë politike se sa ligjore. Mendoj që duhet të ishte me një standard më të lartë komunikimi. Fakti që kanë përdorur zgjedhjet është një paburrëri.
Gjithë kjo histori është nga autorët e reformës në drejtësi. Nuk u morën vetëm me reformën në drejtësi, por me financat e reformës në drejtësi. Ky është një mos pasje vizioni. Duhet kapur Demi prej brirësh dhe të jemi realistë që Rama të mos merret me pasoja, por të shikojë gjithë këtë kaos, ku përfitojnë dhe sindikata të tjerë. Gjuha e Ramës për më tepër që është në Gjykatën Kushtetuese, duhet të jetë më e kujdesshme. Po e rithem që nuk është përplasje për financat, por është tërësisht politike”, tha Gjikondi./abcnews.al


