Fusha sportive e Laprakës, Veliaj: Do t’u mbetet banorëve

schedule13:52 - 31 Tetor, 2018

schedule 13:52 - 31 Tetor, 2018

Turin e dëgjesave publike kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e ndali në zonën e Laprakës. Banorëve që para pak ditësh dolën në protestë iu tha se fusha e sportit do t’u mbetet atyre, ndërsa pronarët do të shpronësohen.

Fusha e futbollit në Laprakë do të mbetet hapësirë sportive për banorët. Nga shkolla “Aleks Buda”, ku prezantoi buxhetin e vitit 2019 për Njësinë 11, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se  do të shpronësojë pronarët, të cilët kanë fituar të drejtën e pronës mbi fushën.

“E paimagjinueshme çfarë pafytyrësie kanë ata që menaxhuan për kater vite Laprakën dhe Tiranën, që menaxhuan gjykatat, që e falën tokën në gjykatë dhe sot bëjnë sikur përvëlohen për qytetarët, ndërkohë që i kishin bërë planet dhe fituar gjyqet, siç u donte qejfi. Lajmi i mirë për qytetin, për Laprakën, dhe lajmi i keq për gjumin, kunatin dhe dhëndrin, është se fusha do të shpronësohet nga Bashkia e Tiranës, do t’i ngelet publikut të Laprakës dhe do të kemi terrenin sportiv, që gjithmonë e kemi pasur mes nesh, por që me letra dhe me plan urbanistik, u deformua.”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës citoi raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe u bëri apel qytetarëve të minimizojnë përdorimin e automjeteve me qëllim uljen e ndotjes.

“OBSH sapo ka botuar një raport të frikshëm për fëmijët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në Europë dhe në botë. Fëmijët janë ata që janë më të predispozuar nga sëmundjet që vijnë nga ndotja prej makinave. Nëse një i rritur merr frymë 20 herë në minutë, një fëmijë merr 50-60 herë në minutë. Do të thotë se ata e thithin më shumë ajrin e ndotur të qyteteve tona nga mbipërdorimi i makinave. Në Tiranë nuk digjet gëlqere, nuk kemi as fabrikë çeliku, por ndotja na vjen kryesisht nga mbipërdorimi i makinave”

Sa i përket investimeve në infrastrukturë, kryebashkiaku Veliaj informoi banorët se me buxhetin e ardhshëm do të ndërhyhet në gjithë bllokun rreth shkollës “Isa Boletini”. Kjo zonë gjithashtu do të përfitojë edhe nga programi i ndërtimit të shkollave të reja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!