“Fusha” fitoi në shkelje të ligjit tenderin për zgjerimin e bulevardit të Sarandës, banorët kundërshtojnë projektin

schedule18:06 - 25 Maj, 2020

schedule 18:06 - 25 Maj, 2020

Dhe pak ditë na ndajnë nga nisja e plazhit. Por këtë vit turistët dhe qytetarët në Sarandë nuk do munden të  pushojnë në plazhin publik. Firma “Fusha” vazhdon punimet duke kthyer hapësirën e plazhit në një katrahurë të vërtetë. Kudo shihen blloqe betoni dhe tuba plastikë që kanë zaptuar hapësirën e plazhit.

Fusha “SHPK” në muajin gusht të një viti më parë mori përsipër të zgjerojë bulevardin e Sarandës.

Po si e mori kjo kompani këtë projekt?

Në tender morën pjesë 3 kompani dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit zgjodhi fituese “Fusha SHPK” edhe pse kishte ofertën më të lartë prej 4.7 milionë euro.

Ligji përcakton se fituesi i tenderëve duhet të jetë ofertuesi me vlerë më të ulët, por në rastin konkret ai është shkelur. FSHZH nuk ka sqaruar se përse shpalli fituese kompaninë Fusha.

Faza e parë e këtij projekti duhet të përfundojë në qershor, por kjo siç duket dhe nga pamjet nuk ka për të ndodhur, ndaj dhe banorët ankohen.

“Kjo do ndikojë tek plazhistët pasi nuk do të kenë ku të bëjnë xhiro, madje edhe plazh s’ke ku bën”, u shpreh një qytetar.

“Duhet të bëjnë patjetër kanalizimet sepse është për faqe të zezë”, theksoi një tjetër qytetare.

Banorët e Sarandës protestuan kundër projektit që në nisje të tij,  në nëntor 2019, pasi sipas tyre cënohej identiteti i qytetit.

“Zvarritjet e punimeve bëhen qëllimisht. Ne, një grup qytetarësh u ngritëm në protesta dhe i dinim pasojat e kësaj katastrofe. Këtë behar ky bulevard do të jetë i mbyllur. Turistë këtë behar nuk do ketë”, u shpreh një qytetar.

Projekti për rivitalizimin e shëtitores buzë detit në Sarandë është pjesë e projektit të Bankës Botërore për përmirësimin e infrastrukturës në bashkitë Sarandë, Gjirokastër, Berat, Përmet.

Për këto të katër Bashki, Banka Botërore i ka dhënë qeverisë shqiptare një kredi prej 63.8 milionë euro.

Kompania “Fusha” është përfolur së fundi si kompania e paracaktuar, që do të ndërtonte Teatrin e ri Kombëtar. Për të bë madje dhe ligji i posaçëm që kompania të merrte të drejtën për të ndërtuar teatrin e ri. Por pak muaj më pas Bashkia e Tiranës e anuloi kontratën koncesionare me këtë kompani, për mos arritje të marrëveshjes në planin financiar./abcnews.al