Furgon me mallra kontrabandë në Kapshticë, arrestohet doganieri dhe shoferi

schedule13:02 - 27 Korrik, 2023

schedule 13:02 - 27 Korrik, 2023

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë kufitare në Kapshticë. Sipas informacioneve mësohet se të arrestuar janë një doganier dhe një tjetër shtetas pasi dyshohet se do të lejonin kalimin e një furgoni kontrabandë.

Ndër të tjera mësohet se ka qenë AMP e cila ka siguruar informacionin se do të kalohej mall kontrabandë nga kjo pikë kufitare.

I ndaluar është doganieri Mario Taraj, në bashkëpunim me shtetasin Astrit Murataj i cili ishte drejtuesi i mjetit, kanë kaluar një kamion me rreth 3 ton djathë kontrabandë.

Arrestimi i tyre u bë gjatë natës, ndërsa dyshohet se ka dhe policë të tjerë të përfshirë. Pritet komunikata zyrtare e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore mbi rastin.

Njoftimi i policise:

U kap duke transportuar me automjet, një sasi të konsiderueshme produkti ushqimor të kontrabanduar (nënprodukt qumështi), vihet në pranga 48-vjeçari.

Vihet në pranga edhe një doganier i Pikës Doganore Kapshticë, pasi dyshohet se shpërdoroi detyrën, duke lejuar kalimin e sasisë së produktit, në mënyrë të paligjshme.

Sekuestrohet sasia e produktit ushqimor të kontrabanduar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në inteligjencën informative, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, kanë goditur një tjetër rast. Si rezultat i tij, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

48 vjeç dhe  32 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, pranë fshatit Dishnicë, Korçë, kanë ndaluar automjetin tip “Benz”, me drejtues 48 vjecarin, në të cilin gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 179 kuti me një sasi të konsiderueshme produkti ushqimor të kontrabanduar (nënprodukt qumështi).

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi 32 vjec, me detyrë doganier i Pikës Doganore Kapshticë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasin A. M., për të kaluar sasinë e produktit ushqimor në mënyrë të kundërligjshme, pa kryer detyrimet doganore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!