Roja bregdetare italiane njoftoi të shtunën se kishte gjetur 14 trupa të tjerë pasi një varkë me emigrantë u fundos në brigjet jugore të vendit në fillim të kësaj jave, duke e rritur numrin e të vdekurve në 34.
Më shumë se 60 persona rezultojnë të zhdukur pasi varka u mbyt në brigjet e Kalabrisë. Nga ata që ishin në bord, vetëm 11 shpëtuan. Vazhdojnë kërkimet ajrore dhe detare për gjetjen e të zhdukurve.
Të enjten, roja bregdetare njoftoi se ishin nxjerrë 12 trupa të tjerë, disa prej tyre gra dhe fëmijë. Mjekët pa Kufij thanë në fillim të kësaj jave se të mbijetuarit kishin raportuar 66 persona të zhdukur, duke përfshirë të paktën 26 fëmijë.
Varka, e cila u nis nga Turqia, u fundos rreth 120 milje detare larg brigjeve të Kalabrisë. Familjet e afganëve janë në mesin e të zhdukurve, sipas organizatës.
Dhjetë trupa u gjetën në një anije tjetër emigrantësh që u mbyt të hënën në ishullin italian të Lampedusa.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, gati 3,155 migrantë vdiqën ose u zhdukën në Mesdhe vitin e kaluar, dhe më shumë se 1,000 kanë vdekur ose janë zhdukur që nga fillimi i vitit.
Mesdheu qendror është rruga më vdekjeprurëse e migrimit në botë dhe përbën 80% të të vdekurve dhe të zhdukurve në Mesdhe. Shumë emigrantë largohen nga Tunizia ose Libia me varka për në Europë dhe Italia është shpesh destinacioni i parë.
/abcnews.al