Fundjava kuqezi/ Asllani vendimtar me asist, në kampionatin turk shkëlqejnë Manaj dhe Cikalleshi

schedule11:00 - 29 Janar, 2024

schedule 11:00 - 29 Janar, 2024

Edhe këtë javë fundjavë shumica e futbollistëve të Kombëtares shqiptare, të cilët aktivizohen me klube të ndryshme në Europë kanë luajtur minutat e tyre me ekipet përkatëse, duke qenë edhe protagonistë.

Kristjan Asllani e nisi si titullar me Interin sfidën e kampionatit ndaj Fiorentinës dhe menjëherë ishte vendimtar me asistin e dhënë për golin e shënuar nga Lautaro Martinez. Mesfushori kuqezi e luajti të gjithë ndeshjen dhe zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në fushën e lojës. Sajti i specializuar për statistika “SofaScore” e vlerësoi Kristjan Asllanin me notën 7.3, e treta më e mirë te Interi.

Edhe Sokol Cikalleshi dhuroi dy asiste në sfidën e skuadrës së tij Konyaspor me Basaksehir. Sulmuesi kuqezi në pjesën e parë asistoi dy herë për shokun e skuadrës Prip që realizi dy gola. Megjithatë Konyaspor nuk mundi ta shmangte humbjen pasi në fraksionin e dytë miqtë realizuan tre gola dhe fituan ndeshjen.

Rey Manaj nuk ndalet dhe gjen sërish rrugën e rrjetës. Sulmuesi kuqezi realizoi një gol shumë të bukur dhe vendimtar në sfidën Sivasspor – Besiktas, që përfundoi 1-0. Sivasspori regjistroi një tjetër triumf falë Rey Manajt, që shkon në kuotën e 11 golave në kampionatin turk.

Manaj e luajti të gjithë sfidën dhe në fund u vlerësua si lojtari i ndeshjes me notën 8.0 nga sajti i specializuar për statistika “SofaScore”.

Tituallarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Adrian Ismajli, Ylber Ramadani, Klaus Gjasula dhe Arbnor Muja, ndërsa Keidi Bare dha kontributin e tij si zëvendësues./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!