Fundjava e 12 e protestave në Hong Kong, me manifestuesit të cilët janë përplasur me forcat e policisë. Ndërkohë mediat raportojnë se është lënë i lirë nëpunësi i konsulatës britanike në Hong Kong i arrestuar fundjavën e kaluar.
Me mijëra persona protestojnë sërish në Hong Kong, në fundjavën e 12 të manifestimeve kundër qeverisë me policinë që përdori gaz lotsjellës kundër tyre për të shpërndarë turmën. Përplasjet ndodhën pranë një stacioni policie ku agjentët përdorën shkopa gome kundër manifestuesve që iu përgjigjjën me hedhje shishesh dhe shkopa druri. Të paktën një person është arrestuar. Manifestuesit kishin marrë leje nga forcat e rendit, por gjithësesi zgjodhën të mbulonin fytyrat me shalle dhe maska. Objektivi i marshimit të së shtunës është protesta kundër mbikëqyrjes së autoriteteve kineze dhe për mbrojtjen e privatësisë së tyre. Ndërkohë është lënë i lirë nëpunësi i konsulatës britanike në Hong Kong. Lajmi u konfirmua nga familja e tij me anë të një mesazhi në Facebook ku sqarohej se ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore. /ABC News Albania 24/7