Ndërhyn RENEA, shkëmbim zjarri në pallat, vritet i moshuari që terrorizoi Elbasanin

schedule18:03 - 24 Shtator, 2020

schedule 18:03 - 24 Shtator, 2020

Ka përfunduar me fatalitet ngjarja e sotme në Elbasan. RENEA ka ekzekutuar 71-vjeçarin, Lefter Zhidru pas më shumë se 5 orësh rezistencë nga ky i fundit në banesën e tij.

I moshuari nuk pranoi të vetëdorëzohet, ndërsa para ekzekutimit të tij u raportuan edhe shkëmbim zjarri me RENEA-n. Ekzekutimi erdhi pas dështimit të disa negociatave me të moshuarin.

Po ashtu edhe vajza e tij 13-vjeçare nën praninë e një psikologeje i ka bërë thirrje të atit që të dorëzohej, por 71-vjeçari nuk u bind.

Gazetari Aldo Kozarja raporton nga vendi i ngjarjes, ndërsa në këto momente pritet që autoambulanca të marrë trupin e pajetë të 71-vjeçarit.

Prej më shumë se 5 orësh lagjia “5 Maji” në Elbasan u shndërrua në një shesh lufte.

Operacionin e RENEA-s e kanë ndjekur nga afër zytarët e lartë të Policisë së Shtetit. Në vendin e ngjarjes ndodhen kreu i policisë Ardi Veliu si dhe drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj.

E gjitha historia nisi rreth rreth orës 13:00, ku pas një sherri me 71-vjeçarin, bashkëshortja e tij njoftoi policinë. Me ndërhyrjen e policisë i moshuari qëlloi drejt këtyre të fundit, ndërsa mbetën të plagosur dy të rinj, kalimtarë të rastit, të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Fqinjët rrëfyern për Abc News se Lefter Zhidru dhe bashkëshortja ishin me origjinë nga Saranda dhe kishin 5 vite që jetojnë me qira në këtë pallat.

Sipas fqinjëve ata janë prindër të një vajze 13-vjeçare ndërsa nuk kanë komunikim me asnjë prej tyre. Ata kanë treguar se çifti shpesh herë komunikonte me zë të lartë duke prishur edhe qetësinë e banorëve të tjerë. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!