Fundi i paqes së shqiptarit me fenë?

schedule20:46 - 28 Tetor, 2020

schedule 20:46 - 28 Tetor, 2020

Nga Alba Bajraktari

Në 2014 papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri na përgëzoi arritjen e lartë shpirtërore sa i përket paqes dhe mirëkuptimit midis religjioneve të ndryshme.

Vlen të kujtohet një nga fotografitë që bëri rrugëtim nëpër botë ku shfaqen përfaqësues fetarë,të secilës prej feve ekzistuese në vendin tonë të ulur bashkë si shokë në simbol të mirëkuptimit,tolerancës por edhe miqësisë që ata ndajnë. I çuditshëm është ky raport paqësor, por vetëm në sytë e atyre që pak dijeni kanë për identitetin shqiptar.

Çudia shfaqet kur krahasohet me reagimet në vende të tjera. Në Kinë as mund të flitet për bashkëjetesë me komunitetin mysliman të Uigurëve, të cilët vazhdojnë të keqtrajtohen.

Në Indi, ku prezantimi si një nga shtetet me më tepër fe të praktikuara, bën të mendosh se bashkjetesa është e mundur, por jo edhe aty komunitetet e ndryshme fetare përballen me probleme e diskriminime të forta.

Nëse zhvendosemi në vendet e Evropës perëndimore, prej kohësh përballen me probleme identitare si pasojë e kontrastit midis religjonit mazhoritar vendas katolik dhe atij mysliman, feja e brezit të dytë të emigrantëve të ardhur kryesisht nga Afrika Veriore.

Por, në një vend si Shqipëria ku edhe veçoritë krahinore bëhen shkak për dallim, feja nuk përbën asnjë problem. Si në rrallë vende të tjera është kaq lehtësisht i mundshëm bashkimi në martesë midis individëve që i përkasin feve të ndryshme. Madje më tepër se kaq, nuk është aspak çështje diskutimi.

Rrallë mund të ndodhë në Shqipëri të pyesim dikë se cilës feje i përket. Në një vend ballkanas, mesdhetar ku pyetet pa hezitim për jetën e tjetrit, ku rrallë herë tema kalojnë pa diskutime të fuqishme, besimi fetar nuk është veçse një detaj pa ndonjë rëndësi të madhe.

Kjo është e mundur pasi identiteti ynë s’është bazuar ndonjëherë në fe, ndryshe nga pjesa dërrmuese e vendeve të tjera. Bismarku thoshte se popujt ndahen sipas besimeve fetare. Prej kësaj mendësie një popull si shqiptarët nuk gjetën « vëlla të madh » për t’i mbështetur në luftën e pamëshirshme për territore.

Vlen të përmendet se qindra vitet nën pushtimin osman nuk i ndërruan besimin fetar popujve në shtetet fqinjë. Arsyet pse një pjesë dërrmuese e shqiptarëve ndërruan besimin fetar nën pushtimin osman janë të ndryshme, por një prej atyre më treguese është se ndryshe nga fqinjët tanë çfarë na bënte shqiptarë, identiteti ynë, s’lidhej aspak me besimin fetar.

Kjo mosqasje e popullit shqiptar ndaj fesë u përforcua në vitet e rënda të komunizmit.Atëherë përfaqësuesit e feve në vendin tonë u luftuan ashpër e me metoda të ulta, nuk kishte festa religjoze sepse jetonim nën postulatin marksist« Feja opium i popujve ».

Kjo kronologji vlen të përmendet për të risjellë në kujtesë marrëdhënien tonë me religjonin dhe arsyen pse kjo temë nuk përbën aspak diskutim në « vendin e diskutimeve ». Identiteti ynë lidhet ngushtësisht me të qenit laik, aq shumë sa ndërtuam religjonin tonë « shqiptarinë ».

Fundja kemi aq norma komanduese të jetës midis nesh sa një shtresë fetare nuk do të sillte ndonjë ndryshim drastik në mënyrën si e jetojmë jetën apo ndërtojmë marrëdhëniet me njëri-tjetrin.

Ndërkohë vendet e zhvilluara, ato perëndimore që prej kohësh e kanë ndërtuar civilizimin e tyre rreth fesë po heqin dalëngadalë dorë nga « Zoti », pra nga feja si komanduese e normave shoqërore. Kjo vihet re nëpërmjet të dhënave të mbledhura nga Sondazhi i Vlerave Botërore (World Values Survey).

Duke filluar nga 2007 vende si Franca, Anglia, Japonia, Finlanda, Suedia i janë larguar gjithnjë e më tepër besimit fetar. Madje edhe Shtetet e Bashkuara, ku besimi fetar është omniprezent dhe thuajse çdo herë i përfshirë mbas një fjalimi të rëndësishëm zyrtar me fjalinë « Zoti e bekoftë Amerikën », kanë përqafuar normat laike.

Kjo vjen si pasojë e rritjes së sigurisë mbi ekzistencën. Pra, njerëzit filluan t’i shpëtonin urisë, të menaxhonin disa sëmundje, të ulin dhunën. Gjithashtu jetëgjatësia është rritur, nuk është më nevoja që një grua të lindë pesë deri në tetë fëmijë vetëm për të zëvendësuar popullësinë. Pra, parimet religjoze lidhur me fertilitetin nuk gjejnë më terren të favorshëm.

Siguria e jetës shpesh lidhet ngushtë me predispozitën e njerëzve për të përqafuar religjonin. Kjo është e dukshme sidomos në vendet ish-komuniste dhe atovendepjesë e ish-Bashkimit Sovjetik.

Mbas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik fryrja ideologjike e viteve të mëparshme i la vend boshllëkut. Prandaj në fillimin e shekullit të XXI ky boshllëk u mbush me katolicizmin ortodoks, sidomos në Rusi dhe vendet e Evropës Lindore.

Kjo është e kuptueshme edhe në kuadrin e sigurisë së jetës pas kolapsit të një regjimi, por edhe në kuadrin e kërkimit të identitetit kombëtar, popullor të këtyre vendeve. Përpara trokitjes së komunizmit, por edhe gjatë saj identiteti i tyre ishte ngushtësisht i lidhur me fenë ortodokse.

Gjithsesi, mbas vitit 2007, edhe këto vende filluan gjithnjë e më tepër të përqafojnë normat laike e t’i largohen parimeve fanatike fetare.

Ndërkohë në Shqipëri mbas 2007-ës ka ndodhur e kundërta. Në një popull ku identiteti është bazuar në popull edhe aspak në fe. Ku kohezioni nacional identitar me atë fetaro-identitar s’gjen kurrëfarë terreni, vihet re një rritje në qasjen tonë ndaj fesë.

Kjo është pjesërisht e shpjegueshme në kuadrin e mungesës së sigurisë së jetës dhe respektit të dinjitetit që i takon jetës. Kur siguria e jetës nuk garantohet nga njeriu ajo do t’i kërkohet Zotit.

Ne një vend të vogël, që i ka shpëtuar kaq e kaq herë shfarosjes, kërkimi dhe mbrojtja e identitetit kombëtar është i domosdoshëm. Por ky identitet,e përsëris si rrallë ndodh në vende të tjera, në vendin tonë nuk lidhet me fenë.

Vlen të përmendet një « detaj » i rëndësishëm historik për bashkimin e trojeve Shqiptare në kërkim të pavarësisë nga Perandoria Osmane.

Rilindasit menduan gjatë se çfarë mund të na bashkonte, cili ishte treguesi i përkatësisë tonë të përbashkët si një popull i vetëm.

Feja nuk u erdhi në ndihmë, pasi identiteti ynë s’lidhej me kurrëfarë feje.

Atëherë ata ndërtuan fenë e Shqiptarit, ashtu me karakteristikat tona, me veçoritë e bukura e të shëmtuara bashkë, me normat tona rreth të cilave ndërtohetjeta, thirrën për një përkatësi kombëtare.

Dua të shpjegohem se ky shkrim nuk është një shkrim kundra fesë. Feja në vetvete jep shpresë, lidhet me jetën, me pranimin e tjetrit dhe përqafimin e fatit. Për gjithçka ajo ka pozitive vlen të përqafohet, siç kemi bërë deri tani.

Në ç’vend myslimanë e të krishterë festojnë e urojnë njëri tjetrin për festat respektive ?!

Për ne mbetet festë e çdo festë religjoze është arsye për tu bashkuar, pavarësisht cilit religjon i përket festa në fjalë. Nëse me kohën ne do t’i tejkalojmë këto limite të mirëkuptimit, tolerancës e do të përqafojmë me fanatizëm njërën apo tjetrën fe, do të kemi hedhur hapa të tërëmbrapa në kohë, në një histori ku si rrallë herë ne gjendemi përpara botës.

Asgjë nuk është e qëndrueshme. Shpesh ndodh që besimet të kthehen në anën e kundërt prej forcave të konformizmit dhe dëshirës për pranim shoqëror.

Kështu njerëzit fillojnë të mbrojnë e të besojnë vizione e qëndrime që më parë i kanë kundërshtuar. Pikërisht aty ndodhin ndryshime kulturore drastike, kundrejt të cilave duhet të ruhemi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!