Pas akuzave të demorkatëve ka reaguar drejtori i komunikimit pranë Kryeministrisë, Endri Fuga, i cili përmes një njoftimi për media i ka quajtur të dëshpëruara dhe pa fakte denoncimet e ardhura nga selia blu prej dy ditësh.
Sipas Endri Fugës asnjë familjar i Kryeministrit apo Ministrit të Brendshëm nuk kanë asnjë lidhje me kompanitë e basteve apo atë që bën monitorimin e basteve online, duke i quajtur deklaratat e demokratëve shpifje. Drejtori i komunikimit i kryeministrisë vijon duke theksuar se në fund të këtij viti nuk do të ketë më asnjë kompani lojrash fati brenda territorit të qyteteve, si sanksionohet në ligj. Sipas Fugës numri i kompanive që operonin në kohën kur demorkatët ishin në pushtet sot është përgjysmuar, ndërsa të ardhurat në buxhetin e shtetit për shkak të tyre janë dyfishuar, sipas tij.
Kompanitë për të cilat opozita baltos qeverinë – vijon ai – kanë rinovuar licensat e tyre gjatë viteve kur në pushtet ishte Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Drejtori i Komunikimit pranë Kryeministrisë njofton se qeveria do t’i japë një zgjidhje përfundimtare kësaj industrie dhe se shumë shpejt do të ketë gati një projekt të ri ligjor për kufizimin e tyre./abcnews.al