“Ftesë në studion” e një artisteje të pazakontë si Brisi, vajzën e luleve

schedule15:45 - 12 Mars, 2021

schedule 15:45 - 12 Mars, 2021

Dhoma e saj e gjumit dhe studioja e punës ndodhen në të njëjtën hapësirë. Muret janë të mbushura me vepra arti, ndërsa tavolinat me mjete pune. Brisi është mjeshtre e përpunimit të rezinës, por rezina pa lulet nuk do të kishte kuptim në studion e saj.

Brisi e specifikon veten me lulet shumëngjyrëshe, nga të cilat i lindi edhe dëshira për të krijuar bizhuteri e punime të ndryshme artistike. “Kam nisur pa ndonjë vetëdije. Kam nisur me gjëra të vogla, por nga dëshira për të mbajtur lulet e thara përjetësisht, gjeta zgjidhje rezinën.”, shprehet ajo.

Pas bizhuve, Brisi pasion ka edhe pikturat murale të punuara deri në detaj me rezinë. E përveç bizhuve e pikturave, Brisi ka eksperimentuar edhe në enët e kuzhinës, eksperiment i cili ka rezultuar mjaft i suksesshëm.

“Setet e kuzhinës nisën si eksperiment, por ecën goxha. Njerëzit i pëlqyen dhe porositë sa vijnë e shtohen”, shprehet Brisi. Të punosh me rezinë nuk kërkon vetëm përkushtim, por edhe shumë kujdes pasi rezina mund të jetë një lëndë kimike e rrezikshme nëse nuk e përdor si duhet.

“Rezina ka vështirësitë e veta. Kur punoj me rezinë jam me maskë kundra gazit dhe kujdesem që të ajros dhomën para se të fle se rezina mund të jetë shumë e rrezikshme për shëndetin nëse nuk merr masat e duhura.”, tregon ajo.

Brisit i janë dashur orë të tëra studimi dhe praktike derisa ka arritur të perfeksionojë teknikat e përpunimit të rezinës. “Punët artizanale kanë vështirësitë e veta, por nuk ka kënaqësi më të madhe se kur sheh që mundi yt shpërblehet nga qindra njerëz që vlerësojnë punimet e personalizuara.“, rrëfen Brisi, vajza e luleve.

Punimet handmade janë rikthyer fuqishëm në treg dhe duket se do të vazhdojë kështu për shumë gjatë. /Romina Braho/ Abc News

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!