Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Ftesa e Trump për Ramën/ Spiropali: Vlerësim për Shqipërinë, por në Tiranë plasi marazi

schedule11:09 - 19 Janar, 2026

schedule 11:09 - 19 Janar, 2026

TIRANË- Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në konferencë për mediat, ftesën e Presidentit të SHBA Donald Trump për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi vlerësim për vendin dhe për lideshipin.

Ajo tha se ftesa e Trump konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë dhe besimin strategjik të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

“Presidenti i SHBA Donald Trump, përmes një letre për Kryeministrin Edi Rama, ka ftuar Republikën e Shqipërisë për t’iu bashkuar një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur “Bordi i Paqes”, në cilësinë e “Vendit Anëtar Themelues”.



Në krye e mbi të gjitha, duhet pranuar se kjo ftesë është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare.

Nuk ka dyshim se ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtëpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i “Bordit të Paqes”.

Fatkeqësisht, edhe për një ngjarje me një peshë të tillë, krejt të veçantë për Shqipërinë e vogël, ky lajm i mirë për emrin e Shqipërisë e të shqiptarit në botë, është pasuar nga një lumë marrëzish të derdhura në mexhlisin e informimit publik.

Ndërkohë që Shqipëria ftohet si bashkë-ndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe funksionale në botë, duke nisur me një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të sigurisë globale, siç është e ardhmja e rripit të Gazës, opinioni publik shqiptar sulmohet nga brenda me gjithëfarë fantazish të kundërshtarëve të kësaj qeverie.

Pikërisht në një moment me simbolikë e peshë të veçantë, ku Shqipëria thirret si bashkë-themeluese e një qendre të re diskutimesh e vendimmarrjesh me impakt global, jo në Honolulu, po në Shtëpinë e Bardhë, periferia e skenës sonë politike përndizet a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo ftua me nderim të posaçëm.

Teksa ky zhvillim dërgon gjithashtu mesazhin e Amerikës së re, se në politikën ndërkombëtare të sotme, madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është faktor përcaktues, po vlejnë mbi të gjitha autenticiteti, koherenca dhe aftësia për t’i kontribuar paqes, stabilitetit e sigurisë – çka Shqipërisë ia njohin e çmojnë të gjithë prej disa vitesh tanimë – në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj-lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për bordin, e me palestinezët që do i sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë në atë bord.

Tamam kur kjo ftesë e drejtpërdrejtë e Presidentit të SHBA për Kryeministrin e Shqipërisë, për t’iu bashkuar Bordit të Paqes si bashkë-themelues, konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë pasqyrat mediatike mbushen me shëmbëlltyrat e dëshpërimit opozitar, a thua se në Bordin e Paqes do të ulet partia e një pjese të shqiptarëve, e jo Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, kudo janë, në çdo truall ku jetojnë ata që flamur mbi të gjithë flamujt, kanë atë të Skënderbeut e të Ismail Qemalit”, tha ministrja e Jashtme Elisa Spiropali./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!