Donald Trump i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama një ftesë për t’iu bashkuar Bordit të Administrimit të Paqes në Gaza, një nismë e re me ndikim ndërkombëtar.
I ftuar në “Tirana Live” në ABC News, analisti Arben Meçe e cilësoi këtë zhvillim si një moment historik, duke theksuar se për herë të parë që nga nisja e konfliktit në Gaza po ndërtohet një institucion i qëndrueshëm me vizion afatgjatë për paqen, menaxhimin politik dhe ekonomik të zonës.
Sipas Meçes, përfshirja e Kryeministrit Rama në këtë forum të nivelit të lartë përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për Shqipërinë, forcon partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe hap mundësi të reja për bashkëpunim, investime dhe rol më aktiv të vendit në politikën globale.
“Për herë të parë në gjithë këtë histori të luftës në Gaza, arriti që të prodhonte një institucion më të qëndrueshëm, më solid dhe që në plan global ka një iniciativë të Donald Trump. Pas kaq kohësh të vendosësh kontekstin e paqes, është një arritje historike. Po ndërtohen skema jo vetëm për menaxhimin ekonomik dhe politik të Gazës por edhe të ngritjes së komisioneve. Renditja në këtë kupolë kërkon disa elemente, dhe kjo ne na bën më shumë krenarë.
Kryeministri Edi Rama do të jetë në një tavolinë ku do të bëhet politika botërore. Ky është një vlerësim i lartë për Shqipërinë, partneritet i fortë me SHBA. Të gjitha këto sjellin benefite për Shqipërisë. Prezenca e Ramës në këtë tavolinë, është një arsye më shumë për takime dhe investime të mëtejshme për Shqipërinë”, tha Meçe.


