FSK, Serbia: Pasoja të paparashikueshme për sigurinë rajonale

schedule18:27 - 18 Tetor, 2018

schedule 18:27 - 18 Tetor, 2018

Beogradi ka reaguar i alarmuar ndaj krijimit të ushtrisë së Kosovës, duke paralajmëruar se kjo lëvizje mund të ketë pasoja të paparashikueshme për sigurinë rajonale. Qeveria serbe ka kërkuar ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për të shmangur një përshkallëzim të mundshëm të situatës.

Serbia pret reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare për votimin në Kuvendin e Kosovës. I pari në emër të qeverisë serbe dhe pushtetit ka reaguar shefi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuric, i cili tha se ky është një rrezik dhe kërcënim për sigurinë në rajon.

Marko Gjuriç: “Mund të ketë pasoja të paparashikueshme për sigurinë në rajon, ndaj presim nga bashkësia ndërkombëtare, e cila është e autorizuar politikisht për të vepruar, që të ndalojë militarizimin dhe përshkallëzimin. Serbia do të mbrojë interesat e saj në tërë territorin dhe do të mbrojë sigurinë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përpjekjeve për destabilitet”.

Ai gjatë një konferencë në Forumin e Sigurisë në Beograd, duke debatuar për Kosovën tha se Serbia nuk kërkon t’i falet asgjë, por një marrëveshje të drejtë.

Marko Gjuriç: “Pa një zgjidhje politike, qoftë edhe vetëm në horizont, dikush po bën hapa të njëanshëm duke tentuar të ndryshojnë realitetin në terren dhe duke na çuar në militarizim. Këto veprime mund të sjellin vetëm përshkallëzime. Kjo do të thotë se veprimet e njëanshme duhet të ndalojnë”.

Ushtria e Kosovës ka qenë një nga temat që Serbia ka kundërshtuar më së shumti, duke kërkuar prezencën e misionit të OKB-së UNMIK në Kosovë dhe NATO-n si garantues të sigurisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!