FSK nis misionin e parë jashtë vendit

schedule13:06 - 9 Mars, 2021

schedule 13:06 - 9 Mars, 2021

Nisja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misionin e parë paqësor jashtë vendit, përkatësisht në Kuvajt, të martën u cilësua si ditë historike nga udhëheqësit politikë në Kosovë.

Në ceremoninë e zbarkimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në misionin e parë paqësor jashtë vendit, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, tha se misioni paqeruajtës gjashtëmujor u bë falë Shteteve të Bashkuara.

“Programi i partneritetit shtetëror me ushtrinë amerikane ka qëllim afatgjatë dhe ka për qëllim krijimin dhe zgjerimin e partneritetit me FSK-në, në funksion të promovimit të sigurisë rajonale, por edhe më gjerë. Sot një nga këta objektiva po nis përmbushjen e tij”, tha Osmani.

Kontingjenti i FSK-së, që niset për në Kuvajt, do të jetë si pjesë e Gardës Kombëtare të Ajovas.

Osmani, në cilësinë e Komandantes Supreme të FSK-së tha se me misionin në Kuvajt, “Forca jonë po merr rol në sigurinë dhe paqen globale”.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni tha se misioni në Kuvajt është mundësi që Kosova të kontribuojë për paqe përkrah partnerëve strategjikë.

“Kjo ngjarje shënon një moment të veçantë për Kosovën, që përveç një mundësie historike, ku FSK-ja radhitet përkrah SHBA-së dhe partnerëve strategjikë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë në nivelin ndërkombëtar, njëkohësisht është një reflektim që të shohim prapa dhe të shprehim falënderimin dhe mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer nga të gjithë partnerët tanë, të cilët arritën në Kosovë 22 vjet më parë me të njëjtin mision, për të vendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha Quni.

Ndërkaq, përmes një video-mesazhi, gjenerali i Gardës Kombëtare të shtetit amerikan, Ajova, Ben Correll tha se SHBA-ja dhe Kosova kanë për synim arritjen e paqes dhe stabilitetit në botë.

“Partneriteti ndërmjet Gardës sonë dhe FSK-së kontribuon në arritjen e këtij synimi”, tha ai.

Gjenerali Correll tha se se Garda e Ajovas dhe Kosova bashkëpunojnë për dhjetë vjet dhe shtoi se ai e di që FSK-ja është e gatshme për këtë mision në Kuvajt.

Krerët institucionalë nuk treguan për numrin e pjesëtarëve të FSK-së që marrin pjesë në misionin në Kuvajt dhe as profilin e tyre.

Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.

FSK-ja pritet të ofrojë mbështetje në operacionet paqeruajtëse në regjionin e Komandës Qendrore amerikane, kishin deklaruar më herët zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes.

Vendimi për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit ishte marrë më 31 dhjetor, 2020.

Më 2018, përmes ndryshimeve ligjore ka nisur transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura.

Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!