Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me struktura të tjera të DVP Elbasan, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, operacionin policor të koduar “The Script 2”.
Gjatë operacionit, janë ushtruar kontrolle në subjektet për këmbimin e valutave (exchange), në qytetin e Elbasanit. Nga kontrollet rezultoi se administratorët e 3 subjekteve të tilla nuk deklaronin të ardhurat që përfitonin.
Në përfundim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për administratorët e 3 subjekteve, shtetasit R. K., 62 vjeç, B. L., 63 vjeç, dhe A. N., 58 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 6 152 430 lekë në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paunde etj). / abcnews.al /

