FSHF shpreson një akord me qeverinë për stadiumin

schedule16:30 - 16 Janar, 2019

schedule 16:30 - 16 Janar, 2019

Federata Shqiptare e Futbollit shpreson të arrijë një akord me qeverinë, për stadiumin e ri të kombëtares, deri në mesin e shkurtit. Nëse kjo nuk ndodh, mbetet vetëm rruga e gjyqit.

UEFA mbërriti në Tiranë me një synim kryesor. Stadiumi i ri i kombëtares është në rrezik dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Theodhoridhis, nuk u vonua aspak për t’ia komunikuar një gjë të tillë kryeministrit të vendit, Edi Rama. Theodhoridhis u thirr me urgjencë nga Federata Shqiptare e Futbollit, sepse qeveria shqiptare i kishte bërë me dije se nuk do t’ia rimbursonte TVSH-në për vlerën e investimit në stadium, një shifër që arrin në 2.55 milionë euro.

Takimi i UEFA-s dhe Dukës me Ramën ndodhi Dhjetorin e kaluar dhe u la një afat, fundi i Janarit ose maksimumi mesi i shkurtit. Burime në Federatë bëjnë me dijë për ABC Neës se UEFA i propozoi kryeministrit që qeveria të zgjidhte dy studio ligjore të njohura ndërkombëtare, po ashtu, Federata të zgjedhë dy studio të tjera, për të interpretuar ligjin dhe për të vendosur nëse TVSH-ja duhet rimbursuar apo jo.

Këto burime shtojnë Federata shpreson që shifra të rimbursohet, por gjithsesi, është e përgatitur edhe për Planin B, për të shkuart në gjyq. Mësohet edhe se kryeministri i tha përfaqësuesit të lartë të UEFA-s se ai vetë ishte i pritur për ta ndihmuar, por ministri i Financave, Ahmetaj, kishte mendim tjetër. Nuk dihet sesa ka ndryshuar situata, tani që Ahmetaj u vendos të mos jetë më ministër, por për TVSH-në nuk ka ende asnjë akord.

Burimet në Federatë pohojnë se institucioni e ka pranuar si fakt të kryer që qeveria nuk do të japë 25 për qind të shumës që i takon për ndërtimin e stadiumit, sipas marrëveshjes për shoqërinë aksionere. Duka nuk ka ndërmend t’i kërkojë ato para, që mund të jenë ndoshta 3 milionë euro apo më shumë, duke gjykuar se qeveria krijoi lehtësi për projektin. Nëse TVSH-ja rimbursohet, Federata beson se stadiumi i ri kombëtar do të jetë gati në qershor, ndryshe gjithçka mund të shtyhet, në varësi edhe të procesit gjyqësor./abcnews.al