FSHF, projekt për ndërtimin e 30 fushave në Tiranë, me kosto 6 milionë euro

schedule15:50 - 27 Korrik, 2019

schedule 15:50 - 27 Korrik, 2019

Fedetrata Shqiptare e Futbollit ka në plan të ndërtojë 30 fusha në kryeqytet. Projekti I është dërguar Bashkisë, ndërsa pritet një përgjigje edhe nga kryeministri Rama.

Në rrethina luhet, por me humbje të madhe kohe. Vetë Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, ka gjithnjë e më pak fusha, dhe Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar për një investim që ta ndryshojë gjendjen.

Burime në institucion bëjnë me dijë se projekti parashikon ndërtimin e 30 fushave në të qytetin më të madh të vendit, me një kosto të përgjithshme prej 6 milionë eurosh.

Mes terreneve që janë projektuar të bëhen funksionalë, janë fusha në Qytetin Studenti, Aneksi I ish-stadiumit “Qemal Stafa”, Aneksi i stadiumit “Selman Stërmasi”, fusha tek “Ali Demi”, së cilës për momentin i është ndryshuar destinacioni, si dhe terrene në Laprakë, Kombinat apo lagje të tjera.

Federata e ka dërguar në Bashki projektin e saj, me kërkesën që organi i qeverisjes vendore të gjejë hapësira për disa nga fushat që duhen ndërtuar.

Deri tani, sipas burimeve në “qeverinë e futbollit”, nuk ka një përgjigje pozitive, ndërsa institucioni I kryesuar nga presidenti Duka ka edhe një shpresë të fundit.

Pritet që të ketë “dritë jeshile” nga kryeministri Rama, ndonëse ky i fundit ende nuk ka mbajtur fjalën e dhënë në Tryezën për reformën në sport, zhvilluar në muajin mars të këtij viti.

Përveç Tiranës, Federata Shqiptare e Futbollit ka në plan t’u propozojë të gjitha bashkive në vend që të krijojnë projekte të përbashkëta për infrastrukturën, me qëllim shtimin dhe përmirësimin e terreneve në Shqipëri. /ABC  News Albania 24/7