FSHF pret qeverinë për futbollin, edhe KOKSH ka një kërkesë

schedule14:20 - 19 Maj, 2020

schedule 14:20 - 19 Maj, 2020

Qeveria do të japë përgjigje javën që vjen për rifillimin e Superligës. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se kampionati pritet të nisë më 3 qershor.

Do të duhet të presin edhe disa ditë. Me gjasë, acarimi i situatës në vend pas shembjes së Teatrit Kombëtar, do ta shtyjë edhe për pak lejen e qeverisë për rifillimin e Superligës dhe veprimtarive të tjera të futbollit në vend.

Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), bënë me dijë për Abc News, se drejtuesit e institucionit presin përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, duke nisur nga e marta e ardhshme, pra që nga 26 maji. Kjo pasi e hëna e ardhshme do të jetë pushim, për shkak të festës së Bajramit.

Në ministri do të jenë të gatshëm të komunikojnë me federatën një ditë më vonë, ose edhe më pas. Pritet që përgjigja të jetë pozitive, pra për të filluar Superioren në 3 qershor, ndërsa kategoritë e tjera mund të luhen më vonë.

Datën 3 qershor e përcaktuan drejtuesit e klubeve në takim me presidentin e Federatës, Armand Duka, në selinë e re të institucioni, ndonëse në mbledhje pati mjaft debate. Disa presidentë ishin që sezoni të mos riniste fare, ndërsa u kërkua edhe data 7 qershor për të rifilluar.

Federata duhet t’i japë përgjigje UEFA-s deri në 25 maj, lidhur me projektin e zhvillimit të pjesës së re të edicionit, të ndërprerë për shkak të epidemisë së koronavirusit. Veç FSHF-së, që ka bërë disa hapa konkretë për të arritur deri këtu, edhe KOKSH ka bërë një kërkesë për rifillimin e aktiviteteve sportive. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!