Fshatrat e Malësisë së Shkupit vijojnë të jenë të bllokuara nga bora. Banorët e ngujuar akuzojnë autoritetet se nuk janë në gjendje që ta pastrojnë rrugën.
Rasti i policëve të bllokuar në stacionin policor në fshatrat e Malësisë së Shkupit alarmoi institucionet në Maqedoni. Një situatë e rëndë paraqitet edhe me banorët e këtyre fshatrave, të cilët tashmë disa ditë nuk mund të lëvizin nga fshati.
Policët që ishin të bllokuar në stacionin policor të Tanushës shpëtuan, por jo edhe banorët e këtij fshati. Të bllokuar janë edhe banorët e Malinës dhe Brezës, fshatra këto të Malësisë së Shkupit.
“Mbi 1 metra borë, nuk ka kurrfarë lëvizje. Malina, Breza dhe Tanusha gati tri ditë janë plotësisht të bllokuar.”
E katërta ditë që ata nuk munden të lëvizin nga shtëpitë për shkak të borës, që i bllokoi këto fshatra malore. Fatmirësisht, bagëtitë që i kanë nuk i lënë pa ushqim, por edhe për të arritur deri aty, kanë pastruar me orë të tëra.
“E kanë pastruar borën vetë për t’u afruar deri tek stanet e kafshëve”.
Edhe pse është larg vetëm 40 kilometra nga qendra e Shkupit, me rrugë të asfaltuar, banorët e ngujuar akuzojnë autoritetet se nuk janë në gjendje që ta pastrojnë rrugën.
Bëhet sikurse gjoja nuk sheh dhe nuk di gjë për këto tre fshatra. Në emër të fshatarëve i bëj thirrje kryetarit të komunës dhe autoriteteve që të marrin masa sa më shpejtë.“
Ndryshe, për shkak të rrugëve të bllokuara nga bora dje u evakuan me helikopterë policët e ngujuar në stacionin policor. Problemi me rrugët gjatë stinës së dimrit, në këto fshatra të Shkupit, përsëritet çdo vit. /abcnews.al