Fshati Goskovë me ujë të ndotur, banorët: Paguajmë tarifat, por nuk kemi ujë të pijshëm

schedule15:38 - 17 Prill, 2021

schedule 15:38 - 17 Prill, 2021

Kemi ujë po është i papijshëm. Kjo është situatë e mbartur prej vitesh në fshatin Goskovë të Korçës.

Çdo ditë banorët i sheh nëpër rrugë me kova e shishe. Shkojnë për të mbushur ujë tek një çesëm në dalje të fshatit.

Në Goskovë pas shumë vitesh mungesë u bë i mundur furnizimi me ujë. Punimet për rrjetin e ri të ujësjellësit përfunduan në nëntor të vitit të kaluar, por duket se ato nuk kanë qenë cilësore.

“E lëmë një kovë më ujë kur ngrihemi në mëngjes shohim se ka shumë llumra. Nuk është i pijshëm. Le që vuajtëm dhe vuajtëm për ujë ne e dimë ç’kemi hequr, por dhe këtë që na i sollën nuk është i saktë”, ka thënë një banore.

Disa banorë vazhdojnë të përdorin ujin e puseve.

“Kemi prej puseve tona”, ka thënë një banor.

S’kanë besim se do t’ju jepet zgjidhje.

“Kush bëhet merak për neve”.

“Kush pyet më për ne në jetojmë apo s’jetojmë. Në fushatë vijnë thonë do bëjmë këtë do bëjmë atë, kur vjen puna s’bëjnë asgjë”, është shprehur një tjetër qytetare.

Në fshatin Goskovë jetojnë 200 familje të cilat prej vitesh përpos problemeve të tjera vazhdojnë të mos kenë as ujë të pastër.  Në këto kohë pandemie kur higjena duhet të jetë maksimale uji në shtëpitë e tyre vjen i ndotur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!