Brenda javës farmacitë do të likujdohen për pagesat e prapambetura të barnave të rimbursueshme. Premtimi është bërë sot nga Fondi i Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pas një takimi me përfaqësues të Urdhërit të Farmacistëve.
Prej muajit tetor të vitit 2018 farmacite nuk ishin likujduar nga ana e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për rimbursimin e barnave.
Si nga ana e urdhrit të farmacistëve, po ashtu dhe nga Fondi nuk është bërë e ditur pse është krijuar kjo vonesë në likujdimin financiar të farmacive për barnat që rimbursohen nga buxheti i shtetit.
Duke marrë shkas nga ky ngërç, disa përfaqësues të farmacistëve zhvilluan një takim këtë të hënë me përfaqësues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku morën garancinë për zgjidhje të situatës.
Laurela Zani, kreu i Urdhrit të Farmacistëve për Tiranën: “Arsyeja e ardhjes sonë ishte se kur do krijohej mundësia që fondi të na lëvronte ne të gjithë sasinë e mbetur të likuiditetit, për Tetor-Nëntor-Dhjetor. Na priti nëndrejtoresha, na siguroi që nga sot do të fillojë likujdimi i të gjithë recetave të rimbursueshme që nuk janë likujduar për muajin tetor dhe nëntor”.
Edhe vetë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në një njoftim për mediat tha se brenda javës nisin pagesat e farmacive për rimbursimin e barnave.
Farmacistët deklaruan se pavarësisht ngërçit dhe vështirësive financiare, nuk ka pasur mangësi në furnizimin e kategorive të ndryshme të qytetarëve me barna te rimbursueshme
Laurela Zani, kreu i urdhrit të farmacistëve për Tiranën: “Ne e kemi vazhduar shërbiminfarmaceutik edhe në kushtë të tilla mbijetese. Asnjë farmaci nuk e ka ndërprerë shërbimin dhe ka ofruar të gjithë medikamentet e nevojshme”. /abcnews.al