Frymëzimi nga yjet, vetëbesimi dhe ambulancat te moshat: Realdo Fili “Në kohën e ABC-së”

schedule20:00 - 4 Maj, 2021

schedule 20:00 - 4 Maj, 2021

Nga Vladimir Prenga

Vetëbesimi është nga pikat më të forta, e ka treguar ndër vite dhe vijon ta bëjë. Tre minuta iu deshën ndeshjen e fundit dhe shënoi golin e katërt në tre javët e fundit në kampionatin rumun. Realdo Fili, sulmuesi anësor që është pjesë e Botosani, hapat e parë në futboll i ka hedhur në Shqipëri me Apoloninë.

“Futbollin e kam nisur shumë herët. Besoj rreth moshës 6-7 vjeç. Arsyeja ishte sepse kam qenë shumë fëmijë i shkathët dhe prindërit duhet të gjenin një mënyrë që të harxhoja energjitë e tepërta”, tregon Realdo, teksa nis rrëfimin e tij në rubrikën tonë të përjavshme, “Në kohën e ABC-së”.

Sigurisht që të luash futboll duhej gjithmonë një top dhe Fili nuk është nga ata që i ka munguar. Është vetëm 24 vjeç dhe kuptohet që kushtet për të kanë qenë më të mira se të brezave të mëparshëm.

“Topi i futbollit ka qenë gjithmonë pjesë e imja, si dhuratë apo si shoku im më i mirë gjatë gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës. Ndjenja është akoma e tillë. Kur kam një top afër ndihem njëlloj si fëmijë me dëshirën e realizuar”, rrëfen sulmuesi fierak.

Ai nuk e harron fanellën e tij të parë që ka veshur dhe bëhet fjalë për një fitues të “Topit të Artë”. “Fanella e Kaka, kur ishte te Milani, ka qenë e para për mua”. Që i vogël, në akademinë e Apolonisë, Fili ka punuar me trajnerë mjaft të mirë.

 

“Gjatë formimit, por edhe gjatë karrierës si profesionit, kam pasur fatin të njihja dhe të takoja shumë mësues të mirë dhe profesioniste, të cilët gjej rastin t’i falënderoj”, thotë fillimisht Fili, i cili i pyetur për atë që pa pasur ndikimin më të madhe tek ai nuk dëshiron të përmendë një emër.

Gjithsesi ka arsyetimin e tij edhe për këtë: “Ashtu si e përmenda, kam pasur fatin e mirë të takoja shumë trajnerë dhe mësues të mirë që më kanë ndihmuar gjatë rrugës time deri këtu. Gjithsesi mendoj se mësimet më të mira ia kam dhënë vetes.

Mentaliteti im ka qenë ai që më ka ndihmuar më shumë të mësoj dhe të përmirësohem në aspekte të ndryshme. Shprehja ime e preferuar është “Puna e fortë e mund talentin, nëse talenti nuk punon fort”, shprehet 24-vjeçari, i cili që fillimet e tij e kishte një dëshirë dhe e kishte ndarë mendjen ku do luante.

 

“Pozicioni im i parë ka si sulmues, pasi dëshira ime më e madhe ishte të shënoja gola”, shton sulmuesi, i cili prej kohësh nuk ka shkelur në fushën ku stërvitej i vogël në Fier. “Kam pak vite pa shkelur në fushën ku jam formuar, por duhet të them që kushtet kanë qenë shumë të mira. Më pas shumë vite jam formuar në akademinë e ekipit të Apolonisë, ku kam hedhur hapat e mi të parë si profesionist”, deklaron Fili.

Shumë fëmijë nuk ia dalin të çajnë në botën e futbollit dhe disa prej tyre Fili i ka pasur në skuadër me moshat. “Ka pasur shumë lojtarë me të dhëna të mira, disa të pafat dhe disa me ëndrra të tjera larg futbollit profesionist”. Po ata që spikasnin më shumë, kush ishin sipas Filit?

Fieraku i zgjedh nga kombëtaret e moshave, ku ai ka pasur mundësinë të luajë. “Pasi kam pasur rastin të luaja në një ekip në moshat e kombëtares, do përmendja Uzunin, Baren dhe Çekiçin. Të tre janë lojtarë të veçantë në stilin e tyre”, vijon rrëfimin e tij sulmuesi.

 

Fili, me kombetaret e moshave, ne nje ndeshje kunder Italise

 

Kur e pyesim se kush ishte ai që ju hapte më shumë punë, Fili tregon edhe një herë tjetër vetëbesimin e tij. “Nuk kam pasur ndonjë të veçantë, pasi i shihja të gjithë kundërshtarët njëlloj. të njëjtën gjë bëj edhe sot e kësaj dite. Atëherë ekipet e kryeqytetit kanë qenë gjithmonë më të vështirat për t’u mundur”, deklaron Fili.

Udhëtimet me ekipin nuk i harron, sikurse edhe një gol të shënuar kundër Teutës dhe problemin e zakonshëm të autoambulancave që bënin të vonoheshin ndeshjet herë pas here. “Me moshat momentet e tilla si udhëtimet nuk mungojnë asnjëherë. Është gjithmonë kohë e kaluar mirë dhe e paharrueshme. Atmosferë e mirë dhe shaka të ndryshme, pasi edhe mosha e lejonte”.

Po goli që nuk e harron? “Me moshat, për fatin tim të mirë, kam pasur një ekip shume të fortë dhe më kanë ndihmuar të shënoj shumë gola. Të gjithë për mua kanë rëndësinë e tyre, por më i veçanti ka qenë një kundër Teutës. Në atë ndeshje shënova tre gola, por i treti ishte i veçantë, pasi ishte një aksion personal. E mora topin nga mesi i fushës dhe ia dola ta shënojë. Ia vlen ta kujtosh”.

 

Sigurisht Fili nuk i fsheh edhe problemet, pavarësisht se në kohën që ai ka luajtur me moshat kushtet kanë qenë disi të mira. “Kam qenë me fat, pasi pak vite më parë organizimi dhe mbarëvajtja për ndeshjet tona ka qenë pothuajse perfekt. Rrallë ndodhnin gabime ose gjëra të çuditshme. Gjithsesi shpesh ndeshjet vonoheshin, pasi ambulanca vinin me vonesë në fushat ku luanim”.

I rritur në epokën e internetit dhe yjeve të mëdhenj, Fili rrëfen edhe idhujt e tij. Disa prej tyre mund edhe t’i ketë ndjekur në Youtube, pasi si sulmues mësimi i lëvizjeve të ndryshme është detyrim për të befasuar më pas edhe rivalët. “Idhujt e mi kanë qenë gjithmonë të ndryshëm. Cristiano Ronaldo, Ronaldo fenomeni, Messi, Maradona. Të gjithë me frymëzonin në mënyrën e tyre”, shton sulmuesi.

Normalisht familja ka qenë mbështetja më e madhe e Realdos, kurse ëndrrën e ka plotësuar që në moshë të re. “Familja ime pa dyshim ka qenë edhe është mbështetja ime më e madhe. Në kohë të këqija apo të mirë janë gjithmonë afër meje.

 

Ëndrra ime si fëmijë ishte të luaja për qytetin tim dhe jam i lumtur që e realizova në një moshë shumë të re. Nostalgjia dhe krenaria për atë kohë është gjithmonë prezente tek unë”, shprehet Fili, i cili tregon edhe kur e kuptoi se do të bëhej futbollist profesionist.

“Rreth moshës 13-14 vjeç e kam kuptuar që do bëhesha një futbollist profesionist dhe e vetmja mënyrë që ta arrija ishte të punoja fort për ëndrrën time. Jam i lumtur që sot e kam realizuar”, përfundon Fili, i cili hapat e parë si profesionist i ka përjetuar me Apoloninë, për të kaluar më pas te Partizani, Kamza, Skënderbeu dhe Luftëtari, ndërkohë që sivjet po spikat me Botosanin në Rumani, skuadër me të cilën ka shënuar 7 gola, një shifër rekord për të. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!