Situata në pikën kufitare të Kakavijës i është kthyer normalitetit.
Gazetari i ABC News Juxhin Mustafaraj raporton se në orët e para të mëngjesit nga kjo pikë kanë kaluar vetëm dy automjete nga Shqipëria drejt Greqisë.
Nga sot të gjithë qytetarët shqiptarë që do udhëtojnë drejt tokës greke do i nënshtrohen një regjimi të ri rregullash, të vendosura nga qeveria greke me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ata do të duhet të kryejnë testin nëse janë apo jo bartës të Covid-19, në të gjithë laboratorët privatë dhe publikë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Përgjigja e testit duhet të jetë e përkthyer në gjuhën angleze, dhe vetëm në rast se përgjigja është Negativ, ata do të lejohen të kalojnë në Greqi.
Më pas me të shkelur në tokën greke, ata do duhet të karantinohen për një javë.
Pikërisht paralajmërimi për këto rregulla të reja strikte, solli dyndjen e shqiptarëve drejt Kakavijës dhe Kapshticës duke sjellë radhë kilometrike dhe pritje të gjata për të kaluar në anën tjetër.
Nisur nga kjo situatë pala greke vendosi dje të punojë përtej orarit zyrtar, deri në kalimin e makinës së fundit në radhë, e cila doli në anën tjetër të kufirit në orën 00:40 të mëngjesit të sotëm./abcnews.al