Partitë e komuniteteve jo shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kryesisht turk, rom dhe boshnjak, i janë bashkuar Frontit Evropian, të kryesuar nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Analisti nga Shkupi, Seladin Xhezairi e cilësoi këtë si një lëvizje të zgjuar, që do t’i sjellë disa mandate shtesë frontit evropian.
“Specialistët e fushës që merren me projeksione lënë të kuptohet se të paktën 4-5 mandate plus mund t’i fitojë fronti evropian me kusht që këto parti të komunitete pakicë të mobilizojnë anëtarësimin e tyre. Gjithë kjo i faturohet sistemit proporcional, i cili favorizon partitë më të mëdha dhe për pasojë sanksionon partitë më të vogla apo ato forca politike që ia dalin të klasohen të dytët në këtë garë.“, tha ai në një intervistë për “Ballkan Update”.
I pyetur nga gazetarja Linda Karadaku edhe për lëvizjen e Ahmetit, që arriti të bëjë bashkë në një koalicion dy ‘armiq’ Ziadin Selës dhe Menduh Thaçit, analisti tha:
“Kjo më duket një lëvizje e zgjuar duke pasur parasysh edhe ngjeshjen e radhëve brenda kampit politik të shqiptarëve këtu. Nga njëra anë u bë realitet angazhimi i zotit Ahmeti, që shqiptarët të kenë opozitën dhe pozitën e vet dhe jo të jenë të shpërndarë dhe të fragmentarizuar nga parti mëhallësh. Krijimi i bllokut opozitar duhet të ketë pasur edhe efekt në sensin e ngjeshjes së rradhëve në partinë e Ahmetit dhe për pasojë ua mori oponentëve të tij politik maqedonas, sipas të cilëve, subjektet politike shqiptare nuk kanë forcë absorbuese të partive të tjera politike, dhe kësaj radhe ndodh ajo që deri tani nuk ka ndodhur.
Për hir të së vërtetës, kemi pasur një proces të kundërt 4 vjet më parë kur lëvizja Besa bëri koalicion parazgjehdor me Lidhjen Social Demokrate maqedonase dhe në këtë sens, nuk pres që për këtë riorganizim mes dy kampeve politike shqiptare të ketë akuza dhe sulme për shkak se 4 vjet më parë e bëri numri 1 i lëvizjes Besa duke u bërë pjesë e koalicionit. Kujtoj se këto zgjedhje në MV për shkak të vendosjes dhe zhvendosjes së një pjese të elektoralit me një kamp politik do të jenë me shumë të panjohura dhe mbase nuk e teproj nëse them se sikurse sondazhet që nuk janë të gjitha të sigurta edhe në zgjedhjet amerikane.” /abcnews.al