Pas raportit të fundit të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, i cili raportonte se 2020 ishte viti me fluksin më të lartë të emigrantëve, policia Europiane njofton një situatë të re.
Në një raport të fundit, Frontex ngre alarmin, për shtim të fluksit të emigrantëve në 5 muajt e parë të këtij viti që depërtojnë në Europë përmes kufijve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Frontex, numri i kalimeve të paligjshme të kufijve nga migrantët nga janari në maj të 2021, arriti në 14,700, ose dyfishi i totalit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Vetëm në muajin e kaluar, janë kapur rreth 2,900 migrantë në kufijtë e jashtëm të Europës me vendet e rajonit.
Frontex raporton se këto shifra mund të jenë edhe më të larta, pasi në to nuk janë marrë parasysh rrugë të tjera migratore, që janë më pak aktive në këtë rajon.
Të dhënat paraprake të Frontex tregojnë se dy kombësitë kryesore që përpiqen të kalojnë kufijtë, janë sirianët dhe afganët.
Numri total i kalimeve të paligjshme të kufijve nga Evropa, arriti në rreth 48 mijë ose 47% më shumë se totali i një viti më pare, kur migrimi i parregullt ra për shkak të kufizimeve të udhëtimit, nga pandemia.
Në territorin shqiptar, vetëm në javën e fundit, janë kapur me dhjetëra migrantë të parregullt, që kanë hyrë në kufijtë tokësor të Kapshticës, Kakavijës por edhe nga rrugë të tjera të kufirit me Greqinë./abcnews.al/