Frikë për shëndetin e Merkel, dalin pamjet

schedule17:00 - 18 Qershor, 2019

schedule 17:00 - 18 Qershor, 2019

Britanikja Deili Meil ka publikuar pamje shqetësuese për sa I përket gjendjes shëndetësore të kancelares gjermane Angela Merkel. Vetë Merkel ka qetësuar gazetarët duke thënë se ishte vetëm pak  e dehidratuar

Kancelarja gjermane Angela Merkel përgënjeshtroi shqetësimet rreth gjendjes së saj shëndetësore pasi u filmua duke u dridhur në një ceremoni zyrtare. Merkel tha se çdo gjë ishte për faj të dehidratimit.

Ajo u pa e paqëndrueshme dhe duke e dridhur teksa qëndronte në diell në mesditë në Berlin në pritjen që iu bë presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenski, i cili u prit me nderime ushtarake.

Trupi i Merkel po dridhej teksa ajo shtrëngonte buzët që të mos jepte veten teksa qëndronte pranë Zelenskit, ndërsa banda ushtarake luante himnet kombëtare jashtë ndërtesës së kancelarisë.

Menjëherë pas përfundimit të himnit ajo dukej më mirë duke ecur me shpejtësi drejt ndërtesës, madje ndaloi të përshëndeste bandën ushtarake

E pyetur nga gazetarët për gjendjen e saj shëndetësore rreth 90 minuta më vonë ajo buzëqeshi duke thënë se ndërkohë kishte pirë shumë ujë, gjë për të cilën kishte shumë nevojë. Ajo shtoi se ishte shumë mirë.

Merkel, e cila mbush 65 vjeç muajin e ardhshëm, buzëqeshi dhe ndaj batutës së presidentit ukrainas i cili tha se ndodhej aty për ta shpëtuar nëse do të kishte qenë nevoja. Nuk dihet nëse Merkel e cila drejton Gjermaninë që nga viti 2005 ka ndonjë problem shëndetësor, pasi ligjet në vend rreth privatësisë janë shumë të rrepta. Merkel shpesh cilësohet si një nga liderët më me influencë në Bashkimin Evropian dhe një nga gratë më të fuqishme në botë. Ajo ka deklaruar se do të largohet nga politika në përfundim të mandatit të saj në vitin 2021./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!