Futbolli rikthehet në fundjavë dhe e nis nga Gjermania. Skuadrat e Bundesligës janë gati për beteja, edhe pse ndeshjet do të luhen pa tifozë. Shumë lojtarë ndjejnë frikë nga një infektim i mundshëm me COVID-19.
Paniku ekziston dhe drejtori sportiv i Leipzig e konfirmon indirekt. Diçka e tillë është normale, klubi gjerman i mirëkupton futbollistët dhe Markus Krösche ka një mesazh të bukur për ta.
“Nëse një futbollist ka dyshime ose ndjen frikë, ne duhet ta respektojmë atë. Kush dëshiron ta kuptojë më mirë këtë situatë ose nuk dëshiron të stërvitet, mund të bisedojë lirshëm me ne. Leipzig është i gatshëm t’i japë mundësinë lojtarëve të mos stërviten ose të marrin më shumë kohë përpara se të rikthehen në fushë.
Kemi biseduar me lojtarët kur erdhi momenti i rikthimit në stërvitje, ju shpjeguam djemve se kjo është puna jonë, ajo që na bën të ecim përpara dhe se është e rëndësishme që të gjithë të marrin përgjegjësi për sjelljen e tyre, veçanërisht në lidhje me shokët e skuadrës”, përfundon Krösche. /abcnews.al