Frikë nga kërcënimi rus, qeveria suedeze manual me udhëzime banorëve në rast lufte

schedule19:37 - 17 Janar, 2018

schedule 19:37 - 17 Janar, 2018

Në përpjekje për të ndërgjegjësuar qytetarët për rrezikun që i kanoset vendit nga Rusia, qeveria suedeze ka vendosur t’u shpërndajë atyre një broshurë me udhëzime se si të veprojnë në rast lufte.

Të trembura nga fuqia ushtarake e Rusisë, autoritetet në Suedi po bëjnë gati t’u shpërndajnë qytetarëve një manual me udhëzime se si të veprojnë në rast lufte. Broshura, që do t’u dërgohet 4.7 milionë banorëve, do të informojë publikun se si të marrë pjesë në atë që quhet “mbrojtja totale” gjatë një lufte dhe se si të sigurojë ujë, ushqim dhe ngrohje. Manuali me titullin “Në rast krize ose lufte” do të ketë në përmbajtjen e tij edhe të dhëna për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike, terrorizmi dhe ndryshimi i klimës.

Aneksimi i Krimesë, mbështetja e separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe kërcënimet ndaj vendeve baltike kanë shkaktuar shqetësim të madh në Suedi. Vendi skandinav, dikur neutral, ka nisur të shfuqizojë shkurtimet e bëra në shpenzimet për mbrojtjen, si dhe të shqyrtojë anëtarësimin e mundshëm në NATO. Në Shtator të vitit të kaluar, vendi mbajti stërvitjen më të madhe ushtarake të 23 viteve të fundit, ku morën pjesë 19 mijë anëtarë të forcave të armatosura suedeze, si dhe pjesëtarë të ushtrive aleate nga Finlanda, Danimarka, Estonia, Lituania, Latvia, Franca, Norvegjia dhe Amerika.