Frikë nga ekspansioni i Kinës, Australia rrit shpenzimet ushtarake

schedule23:00 - 12 Gusht, 2019

schedule 23:00 - 12 Gusht, 2019

E shqetësuar nga ekspansioni i Kinës në Paqësor, qeveria e Australisë ka vendosur të rrisë shpenzimet ushtarake. Në kuadër të një programi të ri, ekzekutivi do të shpenzojë 340 milionë dollarë për forcat speciale.

Qeveria australiane do të shpenzojë 340 milionë dollarë amerikanë për të përmirësuar kapacitetet e forcave speciale ushtarake. Bëhet fjalë për fazën e parë të një plani 20-vjeçar me vlerë 3 miliardë dollarë për t’i bërë forcat e armatosura më efikase ndaj kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme.

Lajmi për rritjen e shpenzimeve ushtarake vjen pas një sërë incidentesh të profilit të lartë të ndodhura në Sidnej dhe Melbërn, si dhe teksa Australia po përgatitet të luajë një rol më influent në oqeanin Paqësor, ku Kina synon të dominojë. “Kjo do të jetë një pjesë shumë e rëndësishme e zotimit tonë për të forcuar më tej forcat e armatosura që prej Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi kryeministri Skot Morrison.

Muajin e kaluar qeveria australiane bëri të ditur se do të krijonte një njësi të re ushtarake për të stërvitur dhe asistuar aleatët në Paqësor.

“Është në interesin kombëtar të Australisë të ushtrojë sovranitetin e saj në ujërat e Indo-Paqësorit, ku të gjitha vendet e kësaj pjese të botës të mund të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën lirshëm, sipas normave dhe ligjeve ndërkombëtare”, shtoi Morrison. Qeveria australiane deklaroi më tej se, shpenzimet për mbrojtjen do të arrijnë në 2 për qind të GDP-së brenda vitit fiskal që përfundon në qershor të vitit 2021./ABC News Albania 24/7