Frika nga pushtimi, oligarkët ukrainas largohen nga vendi

schedule10:38 - 15 Shkurt, 2022

schedule 10:38 - 15 Shkurt, 2022

Të paktën 20 avionë privatë janë nisur nga aeroporti i Kievit të dielën, duke dërguar oligarkët ukrainas larg vendit nga frika e një pushtimi të mundshëm rus, sipas një raporti të Moscow Times.

Ukrainasit më të pasur, Rinat Akhmetov dhe Viktor Pinskuk, u larguan të dielën, ashtu si edhe pronari i anijeve Andrei Stavnitzer dhe manjati Vadim Nesterenko. Miliarderi Igor Abramovich, një ligjvënës pro-rus, mori me qira një avion për anëtarët e partisë dhe familjet e tyre dhe u nis për në Vjenë.

Disa prej manjatëve “të arratisur” mohojnë se janë larguar nga Ukraina. Stavnitzer, për shembull, tha se kishte udhëtuar në Europë në një udhëtim pune të planifikuar prej kohësh dhe do të kthehej në Kiev brenda një jave, raporton abcnews.al

Biznesmeni dhe ish-zëvendëskryeministri Boris Kolesnikov tha se nuk ishte larguar nga Kievi, duke mohuar zërat. Në të njëjtën kohë, stafi diplomatik i Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Britanisë dhe Kanadasë u ka kërkuar shtetasve të tyre të largohen nga territori ukrainas, duke paralajmëruar për një sulm të afërt ushtarak rus.

Të shtunën, linja ajrore kombëtare holandeze KLM njoftoi pezullimin e fluturimeve të saj drejt Ukrainës.

“Fluturimet tona për në Ukrainë do të pezullohen deri në një njoftim të dytë. “Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të masave të sigurisë”, thuhet në njoftimin e linjës ajrore holandeze.

Në një deklaratë të djeshme, autoriteti i aviacionit civil të Ukrainës u zotua të mbajë hapësirën ajrore të hapur, duke marrë përsipër çdo barrë financiare që lind nga çdo ndryshim në rregulloret e sigurisë së fluturimit mbi vend.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!