Ndërsa varianti “Omicron” i koronavirusit vijon të përhapet, kryeministri britanik Boris Johnson ka njoftuar sot masat e reja kufizuese anti-covid. Me vendosjen e rregullave të reja, zgjerohet përdorimi i maskave dhe aplikohet puna nga distanca.
Siç deklaroi kryeministri britanik në një konferencë për shtyp nga Downing Street, puna nga distanca do të kthehet nga e hëna.
“Shkoni në punë nëse duhet të shkoni, por punoni nga shtëpia nëse është e mundur,” tha ai.
Ndërsa, nga e premtja, britanikët do duhet t’i mbajnë maskat në shumicën e ambienteve të brendshme si p.sh në kinema apo teatro. Në të njëjtën kohë, kushtet do të jenë më të rrepta për t’u futur në lokalet e natës apo në vende të tjera ku ka fluks njerëzish. Për t’u futur në këto ambiente do të kërkohet certifikata e vaksinimit.
Megjithatë, kryeministri britanik shpjegoi, ky nuk është një “lockdown” dhe se sezoni i festave do të kalojë pa kufizime në evente sociale. /abcnews.al/