Frika nga koronavirusi, lirohen 376 mafiozë nga burgjet në Itali

schedule20:36 - 6 Maj, 2020

schedule 20:36 - 6 Maj, 2020

Në kuadër të masave mbrojtëse ndaj koronavirusit shumë kriminelë janë liruar nga burgje të ndryshme nëpër botë. Mediat italiane bëjnë me dije se 376 mafiozë janë liruar nga burgjet në Itali dhe janë dërguar nën arrest shtëpiak për shkak të rrezikut të infektimit me koronavirus, duke nxitur një debat në vend.

Gjykatat në Itali  që nga fillimi i pandemisë kanë liruar mafiozë të moshuar që vuanin nga sëmundje të ndryshme sepse “janë në rrezik të komplikimeve nëse marrin koronavirusin”. Prokurorët, asociacionet anti-mafia e partitë politike kanë protestuar kundër vendimeve të gjykatave, duke u frikësuar se krerët e mafive do të shfrytëzojnë krizën e koronavirusit për të siguruar lirimin e tyre.

Në mesin e të liruarve dhe të dërguarve në arrest shtëpiak është edhe bosi i “Cosa Nostras”, Francesco Bonura, 78-vjeçari që po vuante dënimin prej 23 vjetësh burgim dhe bosat e “Ndranghetas”, Vincenzino Iannazzo 65-vjeçar dhe Roço Santa Flippone 72-vjeçar.

Gjykatat janë frikësuar se një infektim me Covid-19 do të ishte fatal për Filipponen pasi ai kishte probleme serioze kardiovaskulare.

Franco Cataldo 85-vjeçar, një tjetër bos i “Cosa Nostras”, është liruar të hënën. Cataldo ishte në mesin e të dënuarve për kidnapimin e 15-vjeçarit Giuseppe Di Matteo, të birin e informatorit Santino Di Matteo. Djaloshi më pas ishte vrarë e trupi i ishte asgjësuar në acid nën urdhrat e kryemafiashit Giovanni Brusca./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!