“Frika mund të imponohet nga prindi”, Kullolli: Ç’duhet të bëni kur fëmija përjeton këtë ndjesi

schedule10:51 - 21 Qershor, 2021

schedule 10:51 - 21 Qershor, 2021

Fëmijët rriten duke përjetuar frikë dhe kjo shpeshherë mund të jetë një sfidë për prindërit. Konsulentja e gjumit për fëmijë, Ornela Kullolli në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit” tha se frika tek fëmijët nisin pas moshës 2.5 vjeç dhe se mund të jetë vetë prindi që mund ta imponojë këtë ndjesi. Por çfarë duhet bërë në mënyrë që fëmija të mos e përjetojë këtë ndjesi?

“Së pari duhet ta besojmë fëmijën. Nëse për ne duket absurde nëse ka frikë nga hija, për të është e vërtetë dhe e ndjen si diçka reale. Në këtë mënyrë rrit besimin që fëmija ka tek ne. Shkojmë shikojmë pas perdes nëse ka ndonjë gjë apo jo. Nga ana tjetër, i japim një elektrik dhe kur ka frikë gjatë natës ta ndezë dhe të shikojë dhomës nëse është e sigurtë.

T’i veshim bluzën e babit pasi do të ndihet i fuqishëm sepse mendon se babi është i fuqishëm dhe askush nuk do t’i bëjë keq. Të vendosim një peshk në dhomë si shok ose si mbrojtës. Abazhuri është një tjetër ndihmë. Mund të ndodhë që në mes të natës të qajë dhe të vijë tek dhoma juaj, duhet ta qetësoni dhe ta çoni sërish tek dhoma e tij për ta bërë të kuptojë se nuk ka asgjë të frikshme.“, tha Ornela.

Më tej, ajo u ndal dhe tek fjalët që prindërit shpesh i përdorim si “kërcënim” ndaj fëmijës. “Fjalët si gogoli sa më shumë t’i shmangim aq më mirë. Thjesht nuk e mendojmë më gjatë, fëmija fillon dhe e përpunon se çfarë është gogoli, çfarë mund t’i bëjë. Kjo thjesht e bën të mos ndihet mirë. Ajo që duhet të bëjmë është për shembull t’i paralajmërojmë që të mos marrin ndonjë gjë që nuk është se e kanë fort qejf.”, tha Kullolli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!