Frika e dopingut, UEFA i planifikon testet që tani në Kosovë?

schedule12:58 - 20 Korrik, 2020

schedule 12:58 - 20 Korrik, 2020

IPKO Superliga e Kosovës po shkon drejt fundit dhe gara për titullin kampion dhe për Europën është mjaft e ashpër. Drita kryeson, ndërkohë që ndjekin Ballkani, Gjilani e Prishtina. Sigurisht titulli është trofeu më joshës, pasi edhe shuma që përfitohet është e konsiderueshme nëse kalohet faza paraeliminatore.

Nisur nga sa më lart, duket sikur ne Dardani gjërat po shkojnë vaj. Në fakt nuk është ashtu, pasi akuzat kanë qenë të shumta prej kohësh. FFK ka qenë nën akuzë për arbitrat dhe për shpërndarjen e fondeve, ndërkohë që shpesh krijohet ideja se ka aleanca dhe ndonjë klub është më i favorizuar se të tjerët.

Edhe në garën për mbijetesë ka aludime të shumta, sidomos pas fitores së Trepça ’89 kundër Llapit, me rezultatin 5-4. Ish-futbollistë kanë akuzuar me deklaratat në media, ndërkohë që klubi nga Mitrovica ka hedhur gjithçka poshtë. Vërtetësia e garës është e rëndësishme dhe dy javët e fundit të kampionatit pritet të jenë nën vëzhgim.

DOPINGU – Një temë delikate, e hapur në muajin shkurt nga ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, Në emisionin “Favorit”, në “T7” theksonte se në Dardani përdoren substanca të ndaluara.

“Dopingu është problem shumë i madh në Kosovë. Ne mundemi me e mbyll këtë temë dhe mundemi të mos e diskutojmë, mirëpo dopingu ekziston në futbollin e Kosovës, mjerisht.

Ekziston ky problem, ka ekzistuar edhe më herët dhe ekziston edhe tani. Mirë është të bisedohet me lojtarë, ta kemi edhe qendrën e dopingut”, deklaronte Bunjaku, ndërkohë që tani që afron fundi i kampionatit, një temë e tillë hapet sërish.

Tre klube dardane do të marrin pjesë në kupat e Europës dhe ka zëra që do ketë kontrolle anti-doping, para ndeshjeve ndërkombëtare. Madje këto teste do të bëhen nga UEFA. Në të shkuarën, nga testet e bëra te lojtarët e përzgjedhur nuk ka pasur pozitivë me substanca të ndaluar, por gjithmonë duhet kujdes. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!