Michale Ngo’o s’e kishte provuar kurrë më parë një tërmet të tillë. Ngjarja e tmerrshme e mëngjesit të 26 nëntorit shkaktoi një tragjedi në Shqipëri dhe shumë persona humbën jetën. Sulmuesi i Tiranës rrëfen momentet e frikës së madhe në një prononcim për Supersport.
27-vjeçari anglez tregon gjithçka me detaje. Lutjet në Zot nuk munguan, teksa mendja i ka mbetur te personat që nuk janë më dhe ata që humbën gjithçka. Të shtunën është ndeshja me Kukësin dhe Ngo’o shpreson të shënojë e fitojë për të gjithë njerëzit që provuan nga dhimbje të madhe nga situata e krijuar.
FRIKA E MADHE – “Ditën e parë isha i trembur. Një tërmet aq i madh ishte diçka që ndodhte për herë të parë në jetën time. Jetoj në katin e 7-të të një pallati dhe e ndjeva që lëkundej i tëri. Më shkoi mendja që do ishte diçka natyrore ose një bombë. U çova menjëherë dhe thashë me vete: ‘Hej, çfarë po ndodh?’. Iu drejtova Zotit dhe i thashë: ‘Më fal mëkatet e mia’. Ose si i thoni ju në shqip: ‘Zot, kam bërë gabime’. Kur ndaloi e falënderova”.
TRAGJEDIA – “Kur mbaroi mora çelësat, pantallonat dhe zbrita poshtë. Pashë shumë njerëz dhe e kuptova që kishte qenë tërmet. Ishte një situatë serioze, pasi shumë njerëz humbën jetën. Ngushëllimet dhe mendimet e mia shkojnë për shpirtrat e atyre që u larguan nga kjo jetë. I telefonova Hasanit dhe e pyeta se çfarë ishte kjo. Më tha se e kishte ndjerë edhe ai. Qëndrova poshtë 2 orë, për t’u ngjitur sërish në shtëpi. Nuk ishte diçka normale. Është diçka që nuk e kam përjetuar më parë në jetë. Ishte një situatë shumë e trishtë dhe mendja të shkon tek personat që humbën jetën”.
STËRVITJA – “Kur erdha në stërvitje kishte më shumë qetësi në fushë, por mendja na shkonte te njerëzit që u larguan nga kjo jetë, apo tek ata që mbetën pa banesa. Toka vijonte të lëkundej. Nuk mund ta imagjinoj një situatë të tillë. Do të luaj për njerëzit që humbën jetën dhe familjet e tyre. Jam në formë dhe fatmirësisht gjallë. Mund të flas me familjen dhe të luaj çdo ndeshje”.
KUNDËRSHTARI – “Me Kukësin është një sfidë e rëndësishme për rrethanat ku ndodhemi. Trajneri e ka përgatitur mirë këtë përballje. Do të japim 120 % për Tiranën dhe njerëzit që humbën jetën. Jemi përgatitur mirë”. /abcnews.al