FRD-së i presin dritat. Pas përplasjes paraditen e sotme për të liruar zyrat, hapi i radhës nga shteti ka qenë heqja e energjisë elektrike. Kryetari i FRD-së Sali Shehu në një lidhje me Radarin Informativ në ABC me gazetaren Jonida Shehu tha se në zyrë po qëndron me qiri, pasi i kanë hequr dritat. “Jemi me qirinj si në kohën e luftës, por kjo është tregues se diktatura është në prag” tha ai.
E ndërsa njoftoi se ka depozituar padinë në gjykatën Administrative dhe në SPAK kundër bashkisë së Tiranës dhe ka vendosur në dijeni ndërkombëtarët, Shehu u zotua se zyrat nuk do i lirojë. Aktin e sotëm nga bashkia e Tiranës ai e cilësoi politik duke e lidhur me marrëveshjen që firmosi me koalicionin e drejtuar nga PD-ja për të hyrë në zgjedhjet e 25 prillit.
Por si arriti presidenti Ilir Meta në zyrat e FRD-së sot? “Kur mbarova deklaratën për mediat më telefonon Presidenti; ku je? Jam para zyrave, i them, erdha më, tha” rrëfeu ai.
Intervista e plotë e Sali Shehut në ABC
Dua të bëj një pyetje si fillim, kur ka ardhur shkresa për herë të parë për të liruar ambientet?
Menjëherë pas kemi firmosur marrëveshjen me Aleancën për Ndryshim dhe kemi organizuar zgjedhjet në parti, në korridoret e partisë ka ardhur një shkresë pa firmë dhe vulë, mund të ketë qenë data 4, 5, ka ardhur e hedhur në korridor, jo në zyrë.
Me postë?
Jo. Nuk ka si me ardhur me postë një shkresë pa protokoll
A mendoni e ka lidhje me largimin e Topit?
Mendimi im është pasi kemi firmosur marrëveshjen. Ka sfond politik. Ishte zgjedhur kryetari i ri, pasi Topi solli dorëheqjen.
Pse e keni thirrur presidentin, ishte rastësi apo i kërkuat ndihmë?
Ju falënderoj për pyetjen. Në orët e para të mëngjesit fillova takimet, nga ora 10 më vjen kryetari i Tiranës dhe më thotë nuk më lënë të hyj brenda. Punonjësit më thanë kemi urdhër. Aty shpërndava njoftimin për drejtuesit e shtetit. Kryetari i Tiranës bëri një prononcim. Unë bëra deklaratën. Kur mbarova më telefonon Presidenti; ku je? Jam para zyrave, i them, erdha më, tha.
Çfarë hapash do të ndërmerreni?
Ne kemi ndërmarrë disa hapa, njoftimi i të gjithë zyrtarëve të lartë të shtetit, KQZ-së, hapi i tretë njoftimi i prokurorisë së Tiranës për aktin vandal, kallëzim penal drejtuar SPAK kundër bashkisë së Tiranës. Pasdite kemi dërguar një shkresë zyrtare për ndërkombëtarët.
Do i lironi zyrat?
Jo, ne jemi në zyrat tona dhe në drejtën tonë. Jemi me qirinj si në kohën e luftës, por kjo është tregues se diktatura është në prag. Sot i jam drejtuar edhe gjykatës administrative. Shteti duhet t’i drejtohet FRD në mënyrë institucionale dhe jo banditeste. Në 2021 i fiken dritat një partie politike.