Francë/ Vazhdojnë protestat dhe grevat kundër reformës në pensione

schedule10:35 - 23 Mars, 2023

schedule 10:35 - 23 Mars, 2023

Qindra mijëra njerëz kanë vendosur të vazhdojnë grevat dhe protestat në Francë të enjten, pasi presidenti Emmanuel Macron u zotua të çojë përpara planin e tij për reformën e pensioneve, pavarësisht nga përshkallëzimi i zemërimit në të gjithë vendin.

Protestat kundër legjislacionit, i cili rrit moshën e daljes në pension me dy vjet, kanë tërhequr turma të mëdha në protesta të organizuara nga sindikatat që nga janari.

Sindikatat e punëtorëve thanë se dita e nëntë e veprimit mbarëkombëtar të së enjtes do të tërheqë turma të mëdha kundër atyre që ata i përshkruajnë si “përbuzje” dhe “gënjeshtra” të presidentit Macron.

Macron ngjalli zemërim te sindikatat dhe partitë opozitare të mërkurën kur hodhi poshtë thirrjet e tyre që ai të merrte parasysh kërkesat për të mos e çuar përpara këtë plan.

“Përgjigjja më e mirë që mund t’i japim presidentit është se ka miliona njerëz në grevë dhe në rrugë”, tha Philippe Martinez, i cili drejton sindikatat.

Shumica e protestave kanë qenë paqësore, por zemërimi është rritur që kur qeveria e shtyu projektligjin në Parlament pa votim, javën e kaluar.

Në shtatë netët e fundit në Paris dhe qytete të tjera protestat u përshkallëzuan me prostesues që ua vunë zjarr kazanëve të mbeturinave dhe u përleshën me policinë.

Duke folur të mërkurën, Macron tha se ligji i ri është i nevojshëm dhe do të hynte në fuqi më vonë këtë vit.

Ai ka thënë vazhdimisht se është i bindur që reforma është e domosdoshme në mënyrë që sistemi i pensioneve të mbetet funksional.

“Reforma nuk është luks, nuk është për argëtim, është domosdoshmëri për shtetin”, tha ai.

Macron i “dënoi” protestat e dhunshme dhe insistoi se “i respekton” sindikatat dhe protestat që janë organizuar nga kundërshtarët e tij, të cilët nuk pajtohen me planin për pensione.

Sindikatat kanë bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare të enjten dhe për greva në sektorët kyçë, derisa Qeveria ta tërheqë këtë projektligj./REL