Duke filluar nga sot ka përfunduar gjendja e emergjencës në Francë, e cila gjendej në fuqi që prej sulmeve terroriste të nëntorit të 2015. Masat e reja antiterror hynë në fuqi të enjten.
Franca ndryshon regjim në luftën kundër terrorizmit. E mërkura shënoi dhe ditën e fundit të gjendjes së emergjencës që u vendos pas atentateve të 13 nëntorit të 2015, ku humbën jetën 130 persona. Gjendja e emergjencës u rinovua disa herë nga parlamentarët francezë për shkak të përsëritjes së sulmeve terroriste në vend. Në vend të saj do të vendosen një sërë masash të reja sigurie, që u shpallën të hënën nga Presidenti Emanuel Makron. “Premtim i mbajtur: përfundojmë gjendjen e emergjencës me 1 nëntor dhe përforcojmë sigurinë e qytetarëve tanë”, shkruan shefi i Pallatit Elize në Tuiter.
Normat e reja kundër terrorizmit i lejojnë autoriteteve që të limitojnë lirinë e lëvizjes të personave të dyshuar për lidhje me terrorizmin. Gjithashu policia ka marrë më shumë të drejta lidhur me bastisjet e objekteve. Autoritetet kanë të drejtë të mbyllin vendet e kultit ku shpërndahen ide ekstremiste. Në ligjin e ri antiterror janë përfshirë dhe disa masa që parashikohen në gjendjen e emergjencës.
“Jemi të vetëdijshëm që niveli i kërcënimet mbetet i lartë”, tha kryeministri francez, Eduard Filip në pritjen që i bëri agjentëve të sigurisë në Paris. Në këtë event mori pjesë edhe ministri i Brendshëm, Zherard Kolomb.