Francë, aktori i njohur Gerard Depardieu akuzohet për agresion seksual

schedule22:59 - 30 Gusht, 2018

schedule 22:59 - 30 Gusht, 2018

Drejtësia franceze ka ngritur akuza për agresion seksual ndaj yllit të kinemasë Zherard Dëpardië. Ka qenë një artiste e re në moshë që ka denoncuar aktorin, i cili pak vite më parë mori nënshtetësi ruse.

Aktori francez me nënshtetësi ruse, Gerard Depardieu është akuzuar së fundmi për dhunim dhe agresion seksual. Lajmin e bëjnë të ditur mediat franceze, sipas të cilave akuzat janë ngritur pas denoncimit të bërë nga një aktore 22-vjeçare. Nga ana e tij, Depardieu ka reaguar përmes avokatit, duke hedhur poshtë çdo përgjegjësi. Përfaqësuesi ligjor Herve’ Temime ka shprehur bindjen se në fund të hetimeve klienti i tij do të çlirohet nga të gjitha akuzat. “Jam takuar me të dhe jam tërësisht i sigurt se pafajësia e tij do të konfirmohet”, ka thënë avokati për një radio franceze.

Çështja në ngarkim të aktorit u hap paraprakisht nga policia e lokalitetit Lambesk, ku aktorja që ka ruajtur anonimatin bëri denoncimin. Më pas ajo iu përcoll prokurorëve kryeqytetas. E cituar nga mediat franceze, 22-vjeçarja shprehet “e shkatërruar” nga ajo që i ka ndodhur. Ajo ka deklaruar se dhunimi ka ndodhur në një nga apartamentet e Depardieu në Paris. I aftë të kombinojë fizikun shtatëlartë me gjendjen emocionale në ekran, Depardieu ka interpretuar në rreth 170 filma. Debutimin që i dha famë ai e bëri në vitin 1973 me filmin “Les Valseuses”, ndërsa në vitin 1990 në Festivalin e Kanës fitoi çmimin e aktorit më të mirë për interpretimin në filmin “Cyrano”, rol për të cilin u nominua edhe për një çmim Oskar. Në reagimin e tij, 69-vjeçari ka deklaruar se ndihet i shokuar nga akuzat, të cilat, siç thotë, bien ndesh me parimet e tij./abcnews.al