Ousmane Dembele shqetëson Francën, ndërsa Belgjika do të ketë një mungesë në sulm për sfidën ndaj Finlandës. Kampionët në fuqi të botës nuk ia dolën të thyejnë Hungarinë ditën e djeshme, ndeshje që përfundoi në barazim 1-1.
Dembele u fut në fushë në minutën e 57-të në vend të Rabiot, por dëmtimi i pësuar në gju e detyroi të braktiste takimin tre minuta përpara fundit. Te Franca janë në ankth për gjendjen e lojtarit ofensiv.
“Do të verifikojmë situatën e tij, Ousmane do t’i nënshtrohet kontrolleve të detajuara“, deklaroi trajneri Didier Deschamps, i cili i frikësohet faktit që 24-vjeçari i Barcelonës mund t’i ketë thënë lamtumirë Euro 2020.
Belgjika kryeson grupin B me 6 pikë të plota. Nesër (21:00) zhvillohet përballja e fundit dhe ndaj Finlandës do të synohet suksesi i tretë radhazi. Trajneri Roberto Martinez nuk do të ketë të gatshëm Thorgan Hazard.
Mesfushori ofensiv i Dortmund, i cili realizoi një nga golat në triumfin 2-1 ndaj Danimarkës, ndjen shqetësime në gju dhe vazhdon rikuperimin për të qenë në dispozicion për ndeshjet e tjera. /abcnews.al