Ambasadorja e Francës në Prishtinë, Marie Christine-Butel, në një intervistë për Gazetën Express ka folur edhe për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Butel ka thënë se u takon palëve që të dakordohen për atë se cili do të jetë rezultati i marrëveshjes finale.
“Marrëveshja përfundimtare do të jetë rezultat i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U takon të dyja palëve që ta përcaktojnë përmbajtjen e saj sipas pikave për të cilat kanë mundur të bien dakord, me synimin të paktën që kjo marrëveshje të jetë gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme”, ka thënë Butel për Express.
E pyetur nëse mungesa e një afati po shkakton zvarritje të procesit të dialogut, Butel ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë periudhën 2022-2024 për ta arritur një marrëveshje finale, para se të mbahen zgjedhjet evropiane në 2024 dhe para zgjedhjeve në Kosovë në vitin 2025.
“Pas zgjedhjeve në Serbi në prill, do të jetë një periudhë dyvjeçare që Kosova dhe Serbia do të duhet ta shfrytëzojnë për të arritur një marrëveshje para zgjedhjeve evropiane në vitin 2024 dhe zgjedhjeve në Kosovë në vitin 2025. Nuk është e nevojshme të caktohen afate për të kuptuar se kur të shfaqet një mundësi e tillë, duhet ta shfrytëzosh atë dhe të bësh gjithçka për të arritur një rezultat”, ka theksuar ambasadorja Butel për Express./GazetaExpress/