Franca i kërkon Kinës të mos mbështesë Rusinë në luftën ndaj Ukrainës

schedule15:15 - 24 Nëntor, 2023

schedule 15:15 - 24 Nëntor, 2023

Kryediplomatja e Francës i bëri thirrje Pekinit që të jetë vigjilent dhe të mos i ofrojë mbështetje direkte dhe indirekte Rusisë në luftës e saj në Ukrainë.

Catherine Colonna i bëri këto komente gjatë përmbylljes së vizitës së saj në Kinë më 24 nëntor, shkruan REL.

Ajo u takua me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi. Parisi tha se kjo vizitë kishte për synim të përqendrohej në thellimin e këmbimeve mes dy shteteve, por po ashtu do të dominohej në ngjarjet aktuale botërore sikurse konflikti në Ukrainë dhe lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Ne duam të kemi një dialog të mirëfilltë me Kinën për çështjet globale, por po ashtu edhe për krizat kryesore”, tha Colonna gjatë konferencës për media në Pekin pas takimit me Wang.

Ajo tha se Franca “llogarit në vigjilencën” e autoriteteve kineze që të sigurohen që asgjë në Kinë “nuk do të kontribuojë në mënyrë direkte apo indirekte në përpjekjet e luftës ilegale të Rusisë”.