Franca heq maskat dhe orën policore

schedule18:23 - 16 Qershor, 2021

schedule 18:23 - 16 Qershor, 2021

Franca do të shfuqizojë detyrimin për veshje të maskës në ambiente të jashtme dhe do të heqë orën policore, e cila zgjat tash e tetë muaj, si masë për frenimin e koronavirusit.

Vendimi për maskën vlen nga nesër, ndërsa për orën policore nga e diela.

Kryeministri Jean Castex tha se situata në Francë është duke u përmirësuar shumë më shpejt sesa pritej dhe se francezët janë duke përjetuar “një kthim në jetën normale”.

Castex tha se është “lajm shumë i mire” që ora policore do të hiqet 10 ditë më herët sesa planifikohej.

Veshja e maskës do të mbetet e detyrueshme vetëm në vende të mbushura me njerëz, të tilla si tregjet në rrugë dhe stadiumet, tha ai.

Franca, javëve të fundit, është duke regjistruar mesatarisht 3,900 raste me koronavirus në ditë.

Në kulmin e muajve mars dhe prill, ky vend ka regjistruar mbi 35,000 raste të reja në ditë.

Mbi 58% e popullsisë së rritur të Francës ka marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Të martën, vaksinimi është hapur edhe për fëmijët e moshave 12-18 vjeç.

Franca ka regjistruar gjithsej 110,563 viktima nga koronavirusi – një nga shifrat më të larta në Evropë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!