Franca, gati të zhbllokojë ngërçin midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, përfiton edhe Shqipëria

schedule11:01 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 11:01 - 14 Dhjetor, 2021

Nga Erisa Zykaj

Ka filluar në Bruksel takimi i 27 ministrave të çështjeve europiane në Bruksel, që ka si temë të parë të rendit të ditës, zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ministrat do tentojnë të aprovojnë konkluzione për zgjerimin, por shqetësimi kryesor i tyre, është se këto konkluzione nuk do të mund të përmbajnë fiksimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninê e Veriut dhe Shqipërinë.

Deri këtu, presidenca sllovene, nuk ia doli të zhbllokojë ngërçin e krijuar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky takim përbën dhe takimin e fundit të ministrave të çështjeve europiane nën presidencën sllovene të Bashkimit Europian.

Më pas stafeta i kalon Francës për presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian. Ministri francez për çështjet europiane, Clément Beaune, ka nënvizuar në fillim të takimit mesazhin e presidentit të Republikës Franceze, Emanuel Macron, sipas të cilit, Franca dhe Bashkimi Europian ka një përgjegjësi për t’i dhënë një perspektivë të qartë vendeve që presin hapjen e negociatave të anëtarësimit, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipërisë, negociata që do marrin nje kohë te gjate.

Ne duhet të zhbllokojmë situatën e krijuar për të mundësuar hapjen e negociatave të anëtarësimit me dy vendet. Ne jemi gati tani gjatë presidencës franceze dhe do të organizojmë gjithashtu një konferencë mbi Ballkanin Perëndimor në qershor, pasi stabiliteti i rajonit është premisë kyçe në planin e migracionit, të sigurisë dhe trafiqeve të ndryshme“, tha si.

Lidhur me sigurinë, ministri Beaune është shprehur, se situata aktuale në Bosnjë-Hercegovinë e shqetëson shumë Bashkimin Europian. Ai ka thënë se ka gjithashtu edhe tema që përparojnë lidhur me Ballkanin Perëndimor, siç është dhe mbajtja e konferencave ndërqeveritare me Malin e Zi dje në mbrëmje dhe Serbinë mëngjesin e sotëm, që ka mundësuar hapjen e disa kapitujve të negociatave, edhe pse rruga europiane e Serbisë drejt anëtarësimit në BE është ende e gjatë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!