Ishin favoritë, por nuk e kishin të sigurt triumfin. Gjithsesi, Franca luftoi deri në fund dhe pikërisht në sekondat përmbyllëse realizoi objektivin e madh, fitoren e Turneut më të shquar europian të regbisë, atë të Gjashtë Kombeve.
Rivali në sfidën e fundit në “Stadë dë Frans” ishte Anglia, pikërisht armiku i përjetshëm, dhe këtë herë ishion “gjelat” që dolën fitues. Humbja e një jave më parë, 40-50 në Gllazgou me Skocinë, nuk i lejoi që të kishin pesë fitore të plota, pra një Grand Slem siç quhet në këtë sport.
Rezultati në Paris ishte 48-46 dhe suksesi u arrit pas penalltisë së shënuar nga Tomas Ramos, në gjuajtjen e fundit të turneut. Gjithsesi, dueli ishte tepër I fortë, siç e tregojnë shifrat, pasi krenaria angleze bëri të vetën pas tri humbjeve radhazi.
Franca e mbylli me 21 pikë, me 4 fitore dhe një humbje, dhe me një diferencë golash shumë më të madhe se Irlanda, +81 ndaj +38, e me dy pikë më shumë se ata, edhe pse bilanci në pesë ndeshje ishte I njëjtë.
Skuadra e trajnerit Fabien Galtie e mbrojti titullin e fituar vjet, dhe kapiteni Antuan Dypon ngriti me krenari trofeun në kryeqytetin e Francës. “Gjelat” kanë 28 trofe gjithsej në këtë kampionat, përfshi edhe epokën kur ishin 5 kombëtare, ndërsa rekordin e mbajnë Anglia dhe Uellsi me nga 39. Gjithsesi, Franca është rekordmene për formatin me 6 ekipe, duke pasur 8 trofe ndaj 7 të Anglisë e 6 të Irlandës./abcnews.al


